Qytetit me 26 milionë banorë i mbesin vetëm tre shtretër të lirë për kujdes intensiv

  • E.K /
  • 16 December 2020 - 09:38
Qytetit me 26 milionë banorë i mbesin vetëm tre shtretër të lirë për kujdes intensiv

Kryeqyteti i Koresë Jugore, Seuli, i cili së bashku me rrethinë ka rreth 26 milionë banorë, ka mbetur vetëm me tre shtretër të lirë në repartin e kujdesit intensiv për shkak të rritjes së numrit të rasteve të koronavirusit.

Kryeministri i këtij shteti, Chung Sye-kyun, tha se prioriteti më i lartë i Koresë Jugore është sigurimi i më shumë shtretërve në spitale për t’u përballur me shifrën rekorde të infektimeve dhe rritjen e numrit të viktimave.

Agjencia Koreane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve të martën raportoi 1.087 raste të reja, që është shifra më e lartë ditore e të infektuarve që nga fillimi i pandemisë, shkruan The Guardian.

Përpos infektimeve, gjatë kësaj periudhe u regjistruan 12 të vdekur, që është shifra e dytë më e lartë pas rekordit prej 13 viktimave që u shënua një ditë më parë. Koreja Jugore në përgjithësi ka arritur t’i mbajë shifrat e infektimeve dhe vdekjeve në nivel të ulët për shkak të testimit masiv dhe përcjelljes së rreptë të kontakteve.

Sidoqoftë, numri i rasteve në gjendje të rëndë është dyfishuar gjatë dy javëve të fundit dhe të mërkurën arriti shifrën rekorde prej 226 pacientëve në gjendje kritike.

Zyrtarët thanë se në rajonin e Seulit të Madh, që e përfshin kryeqytetin me rrethinë dhe ku banojnë rreth 26 milionë njerëz, kanë mbetur vetëm edhe tre shtretër të lirë në repartin e kujdesit intensiv.

(Kosova Sot Online)