Blerim Latifi ia numëron tri gabimet e para presidenciale Vjosa Osmanit

  • E.K /
  • 16 December 2020 - 15:12
Blerim Latifi ia numëron tri gabimet e para presidenciale Vjosa Osmanit

Profesori dhe analisti Blerim Latifi, shkruan për “tri gabimet e para presidenciale të Vjosa Osmanit”.

Sipas Latifit, Vjosa gaboi me “kallëzimin në polici të AKI-së”, “kontratën me Walkerin” dhe kritikën për Bullgarinë’.

Shkrimi i plotë i Blerim Latifit:

Tri gabimet e para presidenciale të Vjosa Osmanit

1. Kallëzimi në polici i AKI-së.

Në ditët e para të hyrjes në zyrën e presidencës, Vjosa Osmani alarmoi publikun dhe policinë mbi atë që u quajt “hapje e kasafortës që ndodhej në zyrën e shefit të shtetit nga ana e zyrtarëve të AKI-së”. Çfarë mbajnë brenda kasaforta të tilla? Asgjë tjetër përveç raporteve të rregullta që AKI u dërgon presidentit dhe kryeministrit, dy institucioneve të vetme shtetërore që u përgjigjet. Natyrisht, ato raporte përmbajnë informacione sekrete, të cilat duhet t’i kenë vetëm presidenti dhe kryeministri. Çfarë nëse ato raporte do t’i merrte EULEX, ose do të binin në duart e këshilltarëve të Vjosa Osmanit, të cilët, nga padituria e tyre, fare lehtë mund t’i hidhnin në portale? Tjetra: presidenti aktual, aq më pak kur ai është ushtrues detyre i presidentit, nuk ka të drejtë t’i lexoj raportet e inteligjencës, të cilat janë dedikuar për presidentin e kaluar. Kështuqë zyrtarët e AKI-së kanë bërë shumë mirë nëse i kanë marrë ato raporte, sepse me këtë veprim kanë siguruar integritetin e institucionit të tyre dhe interesin nacional të shtetit.

2.Kontrata me Walker-in

Shkëputja e kontratës që Ëalker kishte me presidencën e Kosovës, ishte një gabim serioz moral i ushtruesës së detyrës së presidentit. Një gabim që në thelbin e tij reflekton mosdurimin e papërmbajtshëm të Osmanit ndaj çdo gjëje që lidhet me ish presidentin Thaçi. Shopenhauer e ka një aforizmë shumë të saktë : Kur ne urrejmë dikë, urrejmë çdo gjë të tij, jo vetëm të këqijat e tij, por edhe të mirat e tij. Vjosa Osmani duhet t’ia mësoj vetes se në zyrën e presidencës nuk është për të shprehur ndjenjat e saj personale për këtë ose atë person, por për të kryer detyrat kushtetuese të asaj zyreje. Personalizimi i institucionit është praktikë që kundërmon autoritarizëm, e kurrsesi kulturë politike demokratike.

3. Kritika për Bullgarinë

Në një studio televizive, para dy ditësh, Vjosa Osmani kritikoi Bullgarinë për kushtëzimin që është duke ia bërë Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj të integrimit europian. Pse duhet Kosova t’i fus hundët në këtë problem? Pse Kosova duhet të mbaj anë këtë mosmarrëveshje? Pse Kosova duhet të brengoset për integrimin europian të vendeve të tjera, në kohën kur ne jemi në fund të pusit për sa i përket integrimit europian? Pse Kosova duhet të ofendoj Bullgarinë, të vetmin shtet në rajon, i cili është në Bashkimin Europian, dhe që ka qëndrim mbështetës për Kosovën, pa asnjë rezervë e kushtëzim? Kjo tregon thjesht papjekuri serioze diplomatike.

(Kosova Sot Online)