Kur do ta marrë vaksinën anti-covid Joe Biden

  • E.K /
  • 17 December 2020 - 09:32
Kur do ta marrë vaksinën anti-covid Joe Biden

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, më herët është zotuar publikisht se do të vaksinohet kundër koronavirusit kur vaksina të miratohet. Tani, raportohet se ai do ta përmbushë premtimin së shpejti.

Sipas dy zyrtarëve për tranzicionin e pushtetit që janë të informuar për këtë çështje, presidenti i ri do ta marrë publikisht vaksinën kundër koronavirusit javën e ardhshme. Zyrtarët folën në kushte anonimiteti, sepse nuk ishin të autorizuar që të flasin për këtë gjë publikisht.

Në anën tjetër, Shtëpia e Bardhë ka thënë se Nënpresidenti në largim, Mike Pence, dhe bashkëshortja e tij, Karen, do ta marrin vaksinën publikisht të premten, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

Bideni tha të martën se eksperti kryesor i sëmundjeve ngjitëse në Shtetet e Bashkuara, Anthony Fauci, e ka këshilluar atë që ta marrë vaksinën më mirë herët se vonë.

Sipas kreut të ri të Shtëpisë së Bardhë, punëtorët shëndetësorë që janë në vijën e frontit në luftën kundër pandemisë dhe personat më të rrezikuar duhet të jenë prioritet kryesor për t’u vaksinuar të parët.

Sidoqoftë, ai edhe theksoi rëndësinë që të vaksinohet edhe vetë publikisht për ta nxitur besimin e popullsisë ndaj vaksinës. “Nuk dua të dal në krye të rreshtit, por dua të sigurohem që të dëshmojnë para popullit amerikan se ajo (vaksina) është e sigurtë për t’u marrë”, ka thënë ish-nënpresidenti amerikan.

(Kosova Sot Online)