Agjencia MCC e ShBA-së e rikonfirmon përkrahjen për zhvillimin e Kosovës

  • E.K /
  • 17 December 2020 - 10:00
Agjencia MCC e ShBA-së e rikonfirmon përkrahjen për zhvillimin e Kosovës

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip Kosnett, ka njoftuar përmes një postimi në Twitter se agjencia amerikane e ndihmave, MCC, e ka rikonfirmuar përkrahjen për zhvillimin kompakt të Kosovës.

Ai ia ka bashkëngjitur postimit të tij edhe linkun e faqes zyrtare të kësaj agjencie, ku njoftohet për mbledhjen e Bordit të Drejtorëve të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit, të cilët i kanë përzgjedhur shtetet e reja që do të përfitojnë nga programet e granteve të kësaj agjencie.

Në njoftim thuhet se Bordi i Drejtorëve e rikonfirmoi përkrahjen e tij për zhvillimin e vazhdueshëm kompakt në Kosovë, Indonezi dhe Lesoto.

Sipas njoftimit, MCC-ja ofron grante për vendet në zhvillim që përmbushin standarde rigoroze për qeverisje të mirë, duke përfshirë luftimin e korrupsionit dhe respektimin e të drejtave demokratike.

Kjo agjenci ka qasje që ngjan me qasjen biznesore dhe është e përkushtuar ndaj të dhënave, llogaridhënies dhe vendimeve të mbështetura në dëshmi, thuhet në fund të njoftimit.

(Kosova Sot Online)