Naser Rugova paralajmëron zgjedhje: “Srpska” shihet qartë që po punon kundër qeverisë Hoti

  • E.K /
  • 17 December 2020 - 11:19
Naser Rugova paralajmëron zgjedhje: “Srpska” shihet qartë që po punon kundër qeverisë Hoti

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Naser Rugova ka thënë se nëse VV-ja dhe PDK-ja duan në të vërtetë zgjedhje, atëherë sipas tij të njëjtat duhet që ta votojnë buxhetin për vitin 2021.

“E shoh që disa prej juve nuk e kuptoni drejt shqetësimin tim rreth lidhjes mes buxhetit dhe zgjedhjeve të parakohshme. Unë kam qenë deputet në dy mandate dhe e njoh mirë dinamikën e punës shtetërore. Afati i fundit për votimin e buxhetit është Marsi i vitit 2021. Nëse VV dhe PDK vërtet duan zgjedhje atëherë duhet votuar buxhetin, përndryshe do të jenë përgjegjëse për bllokadën totale financiare të vendit me 1 Prill 2021”, ka shkruar ai në “Facebook”.

Madje Rugova tha se edhe dje në Beograd u pa që Lista Serbe nuk është duke e parë më veten pjesë të koalicionit.

“Dje në Beograd u pa qartë që lista serbe nuk e sheh më veten pjesë të koalicionit. Veprimet e tyre destruktuve në Kuvend janë po ashtu tregues që ata tashmë punojnë kundër qeverisë Hoti. Shto kësaj edhe pamundësinë për marreveshje rreth Presidentit dhe bëhet e qartë që zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme.  Zgjedhjet e parakohshme nuk mund të mbahen para Shkurtit 2021, që do të thotë nuk ka gjasa teorike që qeveria e ardhshme të zgjedhet para Majit 2021 dhe ta kalojë buxhetin, kjo në skenarin më të mirë”, ka shkruar më tutje ai.

Sipas tij jeta e qytetarëve nuk duhet që të komplikohet për inate provinciale.

“Nuk duhet t’ia komplikojmë jetën qytetarit pa nevojë e për inate provinicale. Duhet lënë retorikat propagandistike dhe duhet marrë vendime serioze për vendin. Për të tjerat le të vendos sovrani”, shkroi ai. 

https://www.facebook.com/naser.rugova/posts/10158119733823752

(Kosova Sot Online)