Misteri i dosjeve sekrete të Gjykatës Speciale, si dolën ato jashtë prokurorisë?

  • G.G /
  • 17 December 2020 - 11:44
Misteri i dosjeve sekrete të Gjykatës Speciale, si dolën ato jashtë prokurorisë?

Nasim Haradinaj e Hysni Gucati, dy krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës po përballen tanimë me një aktakuzë të konfirmuar nga Prokuroria e Specializuar e Hagës. Veprat për të cilat ata akuzohen nuk kanë të bëjnë me krime lufte, por me administrim dhe pengim të drejtësisë. Konkretisht, ata akuzohen për publikimin e dosjeve konfidenciale të Speciales. Kur po kalojnë tre muaj që prej arrestimit të tyre, ende nuk dihet se si ato dosje sekrete dolën nga Prokuroria e Hagës.

22 shtatori ishte hera e fundit kur OVL-UÇK mbante konferencë për media në të cilën njoftonte se dosje të Speciales kishin arritur në zyrën e tyre. Paraprakisht, e njëjta gjë kishte ndodhur edhe më 7 e 16 shtator, kur Haradinaj e Gucati edhe ua kishin dhënë mediave këto dosje të dyshimta atë kohë.

E pikërisht këto veprime të Gucatit e Haradinajt u bënë shkas që ndaj tyre të ngritet aktakuzë me gjashtë pika. Aktakuza ndaj tyre u konfirmua më 11 dhjetor, teksa u bë publike më 14 dhjetor.

Sidoqoftë, edhe pas një periudhe të gjatë, siç duket Prokuroria e Specializuar nuk ka arritur ta gjejë formën se si dokumentet e saja rrodhën në duart e personave jashtë këtij institucioni ndjekës penal.

Media ka pyetur në Zyrën e Prokurorit të Specializuar se a ka inicuar ndonjë hetim për dikë brenda institucionit lidhur me këtë çështje, apo nëse janë marrë masa ndaj dikujt. Sidoqoftë, krejt çka thonë nga kjo Prokurori është se nuk e komentojnë këtë çështje.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk jep komente në këtë çështje”, ishte përgjigja e shkurt nga Christopher Bennet, zëdhënës i ZPS-së.

E vërtetësia e këtyre dosjeve tanimë nuk po kontestohet. Kjo bazuar edhe në aktakuzën e publikuar para pak ditësh ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt.

Kjo përshkruhet në paragrafët kur ata dy akuzohen për publikimin e informacionit konfidencial.

“Në veçanti, sikurse përshkruhet në paragrafët 6-9, 11-14, 16-18, dhe 20-21, në më shumë raste midis më së paku 7 dhe 25 shtatorit 2020, Hysni GUCATI, Nasim HARADINAJ, dhe/ose ndihmësit (i) shpërndanë informacionin konfidencial; (ii) akuzuan dëshmitarët e përmendur në informacionin konfidencial se ishin, ndër të tjera, gënjeshtarë, spiunë dhe tradhtarë; dhe (iii) deklaruan se me shpërndarjen e informacionit konfidencial dhe veprimet e tjera në lidhje me të, ata kishin për qëllim pengimin e procedurave të DHS-së. Hysni GUCATI dhe Nasim HARADINAJ gjithashtu inkurajuan, udhëzuan dhe/ose këshilluan publikisht persona të tjerë”, thuhet në njërin prej paragrafëve të  aktakuzës.

Nga 22 shtatori dosje të tilla më nuk janë paraqitur në selinë e OVL-së. Tri ditë më vonë nga forcat e ZPS-së dhe EULEX-it pas një bastisje të gjatë ishin arrestuar edhe Gucati e Haradinaj.

Sidoqoftë, deri më tani, ZPS nuk ka dhënë përgjegjësi se si ka ardhur deri tek rrjedhja e dosjeve jashtë Prokurorisë.

E për publikimin e tyre, në bazë të aktakuzës, Haradinaj e Gucati akuzohen për:

Pika 1: PENGIM TË PERSONAVE ZYRTARË NË KRYERJEN E DETYRAVE ZYRTARE, me anë të kërcënimit të rëndë, midis më së paku 7 dhe 25 shtatorit 2020, VEPËR PENALE KUNDËR RENDIT PUBLIK, e ndëshkueshme në bazë të neneve 17, 28, 31, 32(1)-(3), 33, 35, dhe 401(1) e (5) të KPK-së, dhe neneve 15(2) dhe 16(3) të Ligjit;

Pika 2: PENGIM TË PERSONAVE ZYRTARË NË KRYERJEN E DETYRAVE ZYRTARE, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi, midis më së paku 7 dhe 25 shtatorit 2020, VEPËR PENALE KUNDËR RENDIT PUBLIK, e ndëshkueshme në bazë të neneve 17, 28, 32(1)-(3), 33, 35, dhe 401(2)-(3) e (5) të KPKsë, dhe neneve 15(2) dhe 16(3) të Ligjit;

Pika 3: FRIKËSIM GJATË PROCEDURËS PENALE, midis më së paku 7 dhe 25 shtatorit 2020, VEPËR PENALE KUNDËR ADMINISTRIMIT TË DREJTËSISË DHE ADMINISTRATËS PUBLIKE, e ndëshkueshme në bazë të neneve 17, 28, 31, 32(1)-(3), 33, 35, dhe 387 të KPK-së, dhe neneve 15(2) dhe 16(3) të Ligjit;

Pika 4: HAKMARRJE, midis më së paku 7 dhe 25 shtatorit 2020, VEPËR PENALE KUNDËR ADMINISTRIMIT TË DREJTËSISË DHE ADMINISTRATËS PUBLIKE, e ndëshkueshme në bazë të neneve 17, 28, 31, 32(1)-(2), 33, 35, dhe 388(1) të KPK-së, dhe neneve 15(2) dhe 16(3) të Ligjit;

Pika 5: SHKELJE TË FSHEHTËSISË SË PROCEDURËS, përmes zbulimit të paautorizuar të informacionit të fshehtë të nxjerrë në procedura zyrtare, midis më së paku 7 dhe 25 shtatorit 2020, VEPËR PENALE KUNDËR ADMINISTRIMIT TË DREJTËSISË DHE ADMINISTRATËS PUBLIKE, e ndëshkueshme në bazë të neneve 17, 31, 32(1)-(2), 33, 35, dhe 392(1) të KPK-së, dhe neneve 15(2) dhe 16(3) të Ligjit; dhe

Pika 6: SHKELJE TË FSHEHTËSISË SË PROCEDURËS, përmes zbulimit të paautorizuar të identitetit dhe të dhënave personale të dëshmitarëve të mbrojtur, midis më së paku 7 dhe 25 shtatorit 2020, VEPËR PENALE KUNDËR ADMINISTRIMIT TË DREJTËSISË DHE ADMINISTRATËS PUBLIKE, e ndëshkueshme në bazë të neneve 17, 28, 31, 32(1)-(3), 33, 35, dhe 392(2)-(3) të KPK-së, dhe neneve 15(2) dhe 16(3) të Ligjit.

Seanca e parë pas konfirmimit të aktakuzës ndaj Gucatit e Haradinajt do të mbahet gjatë ditës së nesërme.

(Kosova Sot Online)