Vladimir Putin tallet me Alexei Navalnyn: Po të donte ta helmonte dikush, puna e tij do të mbaronte

  • E.K /
  • 17 December 2020 - 15:32
Vladimir Putin tallet me Alexei Navalnyn: Po të donte ta helmonte dikush, puna e tij do të mbaronte

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë se raportimet e medieve se agjentët rusë për siguri shtetërore e kanë helmuar politikanin e opozitës, Alexei Navalny, janë pjesë e përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara për ta diskredituar atë, duke shtuar se kryeopozitari nuk është mjaftueshëm i rëndësishëm për të qenë cak i helmimit.

“Është një mashtrim për t’i sulmuar udhëheqësit (e Rusisë)”, tha Putini gjatë konferencës vjetore për gazetarë. Ai sugjeroi se Navalny e ka pasur përkrahjen e inteligjencës amerikane, prandaj, sipas tij, ka qenë e drejtë që agjentët e sigurisë e kanë vëzhguar.

“Por kjo absolutisht nuk nënkupton që ai duhet të helmohet. Kujt i duhet ai? Nëse dikush do të donte ta helmonte, ai do të mbaronte”, shtoi presidenti rus.

Ai madje asnjëherë nuk ia përmend emrin Navalnyt në publik, duke iu referuar vetëm si “pacienti nga klinika e Berlinit”, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

Një nga kritikët më të ashpër të Putinit, Navalny në muajin gusht ishte dërguar në një spital në Gjermani pas përkeqësimit të shëndetit përderisa ishte duke udhëtuar me aeroplan në Siberi.

Përmes testeve laboratorike në tri shtete evropiane u konfirmua se ai është helmuar me agjentin nervor, Noviçok, i cili është zhvilluar në kohë e Bashkimit Sovjetik. Sidoqoftë, autoritetet ruse e kanë mohuar këtë dhe kanë thënë se ende nuk kanë ndonjë dëshmi për praninë e ndonjë helmi në organizmin e politikanit opozitar.

(Kosova Sot Online)