Putini: ShBA-ja e nisi garën e re, u detyruam të zhvillojmë armë hipersonike

  • A.P /
  • 17 December 2020 - 16:03
Putini: ShBA-ja e nisi garën e re, u detyruam të zhvillojmë armë hipersonike

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, të enjten i fajësoi Shtetet e Bashkuara për fillimin e një gare të re të armëve, duke thënë se Moska ka qenë e detyruar që të zhvillojë armë hipersonike si kundërpërgjigje.

Duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari për rrezikun e garës së re për armë, Putini në konferencën vjetore tha: “Kjo tashmë ka ndodhur dhe është e qartë.”

Putini më herët i bëri thirrje Uashingtonit që të pajtohet që t’i zgjatet edhe për një vit traktatit “Start”, që është marrëveshja e fundit që ka mbetur në fuqi për ruajtjen e baraspeshës së armëve nukleare mes dy shteteve që kanë më së shumti koka bërthamore në botë.

Ai shtoi se beson që Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, është i hapur për dialog rreth kësaj çështjeje, por, sipas tij, nevojitet reagimi i partnerëve amerikanë, shkruan Reuters.

Traktati “Start”, i nënshkruar në vitin 2010, e kufizon numrin e kokave bërthamore, raketave dhe bombarduesve bërthamorë, të cilët Shtetet e Bashkuara dhe Rusia mund t’i kenë në gjendje gatishmërie për aktivizim.

(Kosova Sot Online)