Detaje të reja rreth grabitjes ku u plagos polici

  • E.K /
  • 18 December 2020 - 14:57
Detaje të reja rreth grabitjes ku u plagos polici

Një polic ka mbetur i plagosur në mëngjesin e sotëm, pas një përleshjeje me armë zjarri me disa hajna që po tentonin të kryenin një grabitje në një bankomat në Prishtinë. Për numrin e personave që dyshohet se kanë qenë të përfshirë në këtë grabitje ka dhënë detaje Policia e Kosovës.

Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci ka thënë  se deri tash të dyshuar për këtë rast janë katër persona.

“Veprimet policore të hetimit  si dhe ato  të gjurmimit në vendin e ngjarjes kanë nxjerrë në pah dyshimet për katër të dyshuar të përfshirë në rast si dhe të armatosur me armë të gjata të cilët me breshëri kanë shtënë në drejtim të zyrtarëve policor”, ka thënë Borovci.

Sipas Borovcit, përveç plagosjes së zyrtarit policor, janë shkaktuar edhe dëme material në një veturë të policisë, meqenëse të dyshuarit kanë përdorur materie shpërthyese.

“Si pasojë e të shtënave nga të dyshuarit përveç plagosjes së zyrtarit policor janë shkaktuar edhe dëme materiale në një veturë të policisë si dhe në një kamion dhe në një automjet tjetër transportues. Së këndejmi të dyshuarit me qëllim të hapjes së bankomatit dhe grabitjes së parave,  dyshohet të kenë përdorur materie shpërthyese,  por përkundër kësaj si rezultat i reagimit policor nuk kanë arritur ti grabisin ato”, ka deklaruar Borovci.

Nga Policia thonë se bashkë me prokurorin e shtetit po koordinojnë veprimet vijuese hetimore deri në zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, duke orientuar hetimin për grabitje të armatosur në tentativë dhe vrasje e rëndë në tentativët.

Ndërkohë, për gjendjen e policit të plagosur janë deklaruar nga Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës.

Zëdhënësi i QKUK-së, Shpend Fazliu,  ka thënë  se polici është liruar për në shtëpi pas trajtimit mjekësor.

“Ka marrë ndihmën në emergjencë dhe pas ndihmës mjekësore është liruar në shtëpi”, ka thënë Fazliu.

(Kosova Sot Online)