Gjenden mbetje mortore në Rahovec dhe Prizren

  • E.K /
  • 18 December 2020 - 15:39
Gjenden mbetje mortore në Rahovec dhe Prizren

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur njofton opinionin se në kuadër të angazhimeve për zbardhjen e fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë, sot janë kryer gërmimet vlerësuese në dy lokacione, në hapësirën e varrezave të qytetit në Rahovec dhe në hapësirën e varrezave të qytetit në Prizren.

Gërmimet vlerësuese të filluara në mëngjes në lokacionin në Rahovec, kanë rezultuar me gjetjen dhe zhvarrosjen e mbetjeve mortore të një viktime të luftës.

 Ndërsa, gërmimet vlerësuese në hapësirën e varrezave në lagjen Tusuz të Prizrenit, kanë përfunduar me gjetjen dhe zhvarrosjen e disa pjesëve kockore të një viktime të luftës.  

 Gërmimet dhe zhvarrosja e mbetjeve mortore në këto dy lokacione janë kryer nga ekspertët mjekoligjor të Institutit të Mjekësisë Ligjore në zbatim të urdhëresave të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, dhe me prezencën e zyrtarëve të Sektorit të Policisë për Krime Lufte, zyrtarëve të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, kryetarit të fshatit Krushë e Madhe dhe zyrtarëve policor të stacionit në Rahovec dhe Prizren.

 Mbetjet mortore të zhvarrosura do të dërgohen për ekzaminim mjekoligjor, ndërsa mostrat nga mbetjet mortore do të dërgohen për identifikim përmes analizës së ADN-së dhe pas identifikimit, do t’iu dorëzohen për rivarrim familjeve të personave të identifikuar, në përpjekjen e vazhdueshme institucionale që familjet e të zhdukurve të mësojnë sa më parë fatin dhe vendndodhjen e familjarëve të tyre të zhdukur dhunshëm si pasojë e luftës së fundit në Kosovë.  

 Këto dy lokacione janë proceduar në bazë të informatave të prezantuara nga qytetarët në Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Sektorin e Policisë për Krime Lufte, andaj sërish apelojmë tek çdo qytetar që mund të ketë informata për vendndodhjen e mundshme të personave të pagjetur t’i ofrojnë këto informata tek institucionet kompetente.

(Kosova Sot Online)