Likaj thotë se nxënësit do të angazhohen me detyra edhe gjatë pushimit

  • A.P /
  • 18 December 2020 - 17:10
Likaj thotë se nxënësit do të angazhohen me detyra edhe gjatë pushimit

Sot është dita e fundit e gjysmëvjetorit të parë për vitin shkollor 2020/2021. Për një muaj nxënësit nuk do të ulen në bankat shkollore, teksa ministri i Arsimit, Ramë Likaj ka paralajmëruar se për ta ministria tashmë ka hartuar udhëzuesin për mësimdhënësit se çfarë detyra mund t`iu jepen nxënësve gjatë pushimit dimëror.

Gjatë vizitës në shkollën “Dardania”, Likaj tha se kjo do të bëhet me qëllim të kompensimit të orëve të humbura, teksa shtoi se MASh-i ka adaptuar edhe kalendarin e ri për këtë vit shkollor.

Nga SBAShK-u po deklarohen ndryshe. Kryetari i kësaj sindikate Rrahman Jasharaj ka thënë se orët e humbura do të kompensohen ndryshe.

“Janë bërë disa ndryshime edhe në kalendarin për vitin shkollor 2020/2021, me qëllim që të lihet mundësia që ditët që kanë mbetur pa u realizuar në këtë gjysmëvjetor të realizohen pas fillimit të gjysmëvjetorit të dytë. Ka qenë propozim që edhe pushimi pranveror të kthehet në ditë mësimi, e pastaj të mbahet mësim edhe ndonjë të shtunë ose të vazhdohet mësimi edhe për pak ditë në fund të vitit shkollor”, ka thënë Jasharaj.

E për këta nxënës që do të pushojnë për fiks një muaj, punëtorët e arsimit nuk do të angazhohen me detyra apo aktivitete shtesë, siç tha sot ministri. Kjo pasi që sipas Jasharajt me vendimin e ministrisë edhe ata kanë pushim po aq sa nxënësit.

“Ka edhe sinjale të tilla por bazuar në vendimin që e ka lëshuar vet ministri dhe që e ka nënshkruar, e thotë qartë që pushimi dimëror fillon me datë 18 dhe konsideroj që drejtorit e arsimit dhe të shkollave nuk duhet që të insistojnë që të gjatë kësaj kohe të mbahet mësim online ngase do të kemi laramani në komuna, bie fjala një komunë mund të mbaj mësim ndërsa një tjetër jo”, ka deklaruar ai.

Kujtojmë që më 1 dhjetor të këtij viti, kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, njoftoi që kanë marr vendim që gjysmëvjetori i parë të përfundoj me 18 dhjetor dhe ai i dytë të fillojë me 18 janar. 

(Kosova Sot Online)