Personi që kërcënoi ambasadorin Gashi dënohet me tetëmbëdhjetë muaj burg

  • A.P /
  • 18 December 2020 - 23:03
Personi që kërcënoi ambasadorin Gashi dënohet me tetëmbëdhjetë muaj burg

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar F.M me 18 muaj burgim nën akuzën se kishte kërcënuar ambasadorin e Kosovës në Francë, Qëndrim Gashi.

Ai akuzohej për veprën penale: shtytje për kryerje të veprave terroriste.

Në vendim thuhej se ky person postoi më 19 tetor në faqen e tij në Facebook “thirrje me përmbajtje kërcënuese kundër ambasadorit të Republikës së Kosovës në Francë”.

Prokuroria në aktakuzën e saj kishte thënë se thirrja për “‘vrasjen e Gashit ka qenë me paramendim dhe dashje”. Sipas saj, vepra penale nga ky person është bërë pasi ambasadori Gashi ka postuar në Tëitter një karikaturë të Profetit Muhamed, si shenjë reagimi ndaj vrasjes së një mësuesi në Francë.

“Me këto veprime, i pandehuri F.M. ka kryer veprën penale ‘shtytje për kryerjen e veprave terroriste’ nga neni 134 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës më 8 dhjetor.

Në muajin tetor, ambasadori Gashi ka shpërndarë në llogarinë e tij në Tëitter një artikull të gazetës franceze “Le Figaro” për kronologjinë e një akti terrorist, që ka ndodhur në një qytet afër Parisit.

Më 16 tetor, një islamist i dyshuar i ka prerë kokën një mësuesi të historisë, i cili në një orë për lirinë e shprehjes, u ka treguar nxënësve të tij karikaturat e Profetit Muhamed.

Gashi ka shpërndarë artikullin e gazetës “Le Figaro” për rastin, i cili për ilustrim ka përdorur edhe karikaturat e Profetit Muhamed, të publikuara nga revista franceze, Charlie Hebdo.

Për rrjedhojë, Gashi është përballur me kritika dhe kërcënime në mediat sociale, ndërsa Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës i ka kërkuar Ministrisë së Jashtme dhe të Diasporës në Kosovë që të distancohet nga veprimi i ambasadorit.

Gashi, atëbotë, ka ftuar secilin që dyshon se ai e ka shkelur ligjin, që ta sfidojë atë në gjykatë.

(Kosova Sot Online)