Ardhësit izraelitë ua presin, ua djegin e ua nxjerrin me rrënjë ullinjtë palestinezëve

  • A.P /
  • 19 December 2020 - 10:57
Ardhësit izraelitë ua presin, ua djegin e ua nxjerrin me rrënjë ullinjtë palestinezëve

Në fshatin Burin, i shtrirë në periferi të qytezës Nablus në Bregun Perëndimor, Basheer Zaban, bashkë me familjarët e tij, ishte duke vjelur ullinj në ullishtën e vet. Papritmas, ardhës të maskuar izraelitë i sulmuan ata me gurë. Shtatë kilometra larg Nablusit, fshati tashmë është rrethuar nga vendbanimet izraelite, të quajtura Yitzhar.

“Nuk mundëm t’i shihnim, sepse ishin fshehur prapa pemëve. Me gurë i bënë cak kokat tona. Ata për pak sa nuk na vranë”, thotë Basheer, familjarët e të cilit u lënduan në këtë sulm.

Në kohën kur Izraeli po vazhdon të ndërtojë vendbanime çifutësh në këtë zonë, fshatrat Burin, Oreef, Madama, Jalood, Aserah al-Qibliah, Aqraba dhe Burqa dhe disa fshatra në verilindje të Nablusit janë bërë caqe të drejtpërdrejta të ardhësve. Ata po i detyrojnë palestinezët që t’i lirojnë tokat e tyre pjellore për të ndërtuar vendbanime.

Sipas një koalicioni palestinez të organizatave joqeveritare, ky vit ishte më i vështiri për fermerët. Mbi 8.400 trupa ullinjsh janë djegur ose janë nxjerrë me rrënjë, shkruan Anadolu.

Ardhësit e maskuar izraelitë duke i sulmuar me gurë ullishtarët palestinezë nga fshati Hawara, tetor 2020 (Foto: AFP)

“Sulmet e ardhësve janë të koordinuara kundër fermerëve dhe vullnetarëve tanë. Ata kanë organizuar sulme vdekjeprurëse deri në atë masë sa një burri të moshuar i është thye kafka”, thotë Jamal Jomah, kryetar i koalicionit të OJQ-ve.

Vuajtjet e fermerëve u shtuan edhe më shumë kur ardhësit ua ndërprenë rrjetin e ujit me të cilin furnizoheshin fshati Madama dhe pronarët e ullishtave.

“Kur ardhësit ekstremistë na sulmojnë, ushtria (izraelite) i përkrah ata duke i qëlluar me armë dhe duke i arrestuar fermerët palestinezë dhe madje edhe ata që solidarizohen me fermerët”, shton Jomah.

Fermerët palestinezë nuk guxojnë më që t’i vizitojnë ullishtat vetëm. Ata shkojnë në grupe dhe me vete marrin mburoja për t’u mbrojtur nga sulmet me gurë.

Shawqi Abu Mujahed thotë se ardhësit edhe ua vjedhin kokrrat e pjekura të ullirit. “Ardhësit na i vjedhin pemët e pjekura. Ata gjithashtu i presin trupat e pemëve dhe na i vjedhin pajisjet për të na e sulmuar burimin e jetesës”, ankohet ai.

Ushtarët izraelitë duke patrulluar pranë ullinjve të prerë, pronë e palestinezëve, maj 2020 (Foto: AFP)

Sipas Nazeh Fkhaida, drejtor i Departamentit Palestinez për Dokumentimin e Dëmeve Bujqësore, numri i përgjithshëm i trupave të pemëve që janë nxjerrë me rrënjë, që janë djegur ose që janë helmuar kimikisht nga ardhësit nga viti 2010 ka shkuar në 101.988, që paraqet dëm prej 47 milionë dollarësh.

Organizatat joqeveritare kanë nisur një fushatë për t’i ndihmuar fermerët e dëmtuar, por kjo nismë sivjet është penguar nga pandemia. Një organizatë e quajtur “Unioni i Komiteteve për Punë Bujqësore” i ka ndihmuar 44 fermerë për të mbjellur mbi 5.000 trupa ullinjsh gjatë dy muajve të kaluar në periferi të qytetit Nablus.

Një fushë me ullinj përfshihet nga flakët pasi ushtria izraelite hedh bombola të gazit lotsjellës gjatë një proteste të palestinezëve kundër vendbanimeve izraelite në Bregun e pushtuar Perëndimor, 16 tetor 2020 (Foto: Reuters)

“Njësia jonë ligjore i dokumenton të gjitha shkeljet përmes raportimit mujor, i ndjek ato ligjërisht së bashku me partnerët tanë dhe organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, thotë Moyaad Bsharat, drejtor i projekteve në këtë organizatë.

Ai thotë se sipas vlerësimit të organizatës, nga viti 1967 janë nxjerrë me rrënjë mbi 2 milionë trupa pemësh. Për ta rënduar gjendjen edhe më shumë, ndërtesat industriale në Burkan po i derdhin mbetjet kimike drejtpërdrejt në fushat e ullirit afër fshatit Salfit, duke i dëmtuar edhe më shumë ullinjtë.

(Kosova Sot Online)