Rreth 590 persona në listë të pritjes për shërim jashtë Kosovës

  • E.K /
  • 20 December 2020 - 09:36
 Rreth 590 persona në listë të pritjes për shërim jashtë Kosovës

Janë tri shtete me të cilat Republika e Kosovës ka marrëveshje që pacientët t’i dërgojë për shërim jashtë vendit. Turqia ka një numër prej 100 rasteve, të cilat ka ofruar t’i trajtojë falas për kosovarët, por për shkak të kushteve me pandeminë kjo mundësi nuk do të mund të shfrytëzohet për nja kohë të pacaktuar.

Zëvendësministri i Shëndetësisë, Luan Gola ka thënë se në total janë rreth 590 raste në listën e pritjes për t’u shëruar jashtë Kosovës.

“Lista e pritjes te situata emergjente kur kërkohet realizohet përmes komisionit, dhe komisioni brenda 72 orëve i adreson për kërkesa, ne arrijmë që ato kërkesa emergjente për 72 orë me i adresu. Totali i listës së pritjes nga viti 2019 që i kemi bartë është rreth 220 raste dhe në vitin 2020 janë rreth 370 raste. Pra totali i listës është rreth 590”, u shpreh Gola.

Vendet e tjera përveç Turqisë, me të cilat Kosova ka marrëveshje janë edhe Shqipëria e Maqedonia e Veriut.

Pacientëve që kanë nevojë për trajtim jashtë vendit, sipas Ministrisë së Shëndetësisë,  deri në moshën 18 vjeçare u mbulohen shpenzimet 100 për qind, ndërsa atyre mbi moshën 18 vjeçare shteti mbulon 70 për qind të shpenzimeve.

Sipas Golës, numri i spitaleve private në Republikën e Kosovës është në rritje.Ai tha se janë 1633 institucione shëndetësore private të licencuara, prej të cilave 26 janë spitale private, ndërkaq foli edhe për investimet e planifikuara për këtë vit dhe vitin tjetër.

(Kosova Sot Online)