Ultimatumi ndaj Hotit, Lista Serbe bojkoton edhe mbledhjen e Qeverisë

  • E.K /
  • 21 December 2020 - 09:53
 Ultimatumi ndaj Hotit, Lista Serbe bojkoton edhe mbledhjen e Qeverisë

Ka nisur mbledhja e Qeverisë së Kosovës e ftuar nga kryeministri Avdullah Hoti.

Megjithatë, në këtë mbledhje nuk janë duke marrë pjesë përfaqësues të Listës Serbe.

Në këtë mbledhje nuk kanë shkuar Zëvendëskryeministri Goran Rakiq dhe ministri për Kthim dhe Komunitete, Delibor Jevtiq.

Lista Serbe nuk ka marrë pjesë as në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës, derisa, kanë paralajmëruar dalje nga Qeveria nëse nuk iu përmbushen kërkesat.

Partneri i koalicionit i ka vendosur ultimatum qeverisë Hoti lidhur me kërkesat e saj të cilat i ka bërë të njohura deputeti i LDK’së Ilir Ferati në Frontal të T7.

Ferati ka thënë se Lista Serbe po kërkon nga qeveria formimin e një ndërmarrje publike me emër antikushtetues.

“Kam dëgjuar se Lista Serbe po kërkon themelimin e një ndërmarrje në komunat serbe me emër antikushtetuese. Kjo është si kërkesë e parë. Emrin nuk e di. Bëhet fjalë për një ndërmarrje publike”, ka pohuar ai.

Lista Serbe që ka 11 deputetë në Kuvendin e Kosovës në vazhdimësi ka bërë obstruksione ndaj qeverive të Kosovës, duke u ndikuar drejtpërdrejt nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

(Kosova Sot Online)