Mediat serbe: Shqiptarët po përpiqen ta përvetësojnë kishën tonë afër Skënderajt

  • E.K /
  • 21 December 2020 - 12:24
 Mediat serbe: Shqiptarët po përpiqen ta përvetësojnë kishën tonë afër Skënderajt

Mediat serbe shkruajnë se “shqiptarët po përpiqen t’i përvetësojnë muret e kishës ortodokse të shkatërruar në fshatin Suhogërl afër Skënderajt”.

Rajko Tomasheviq, një banor i këtij fshati, tha se pranë rrugës që të çon në mbetjet sakrale të kishës u vendos një shenjë në të cilën shkruhet “Kisha jonë” në shqip dhe anglisht.

Ai tha për mediumin serb në Kosovë, “Kosovo Online” se tabela ishte vendosur dy ditë më parë.

“Për një javë tani, fshati është i mbuluar nga mjegulla, kështu që askush nga ne vendasit nuk ishte atje, por dy ditë më parë vumë re se në rrugën që të çonte në muret e një kishe, dikush vendosi një tabelë që shkruhet në shqip dhe anglisht “Kisha jonë “, tha Tomaseviq.

Ai thotë se banorët e këtij fshati vizitojnë muret e kësaj kishe çdo vit në festën e Epifanisë.

“Ne shkojmë rreth mureve të kësaj kishe në Epifani. Janë themelet e kishës,” tha Tomasheviq.

Siç thotë ai, kisha u shkatërrua shumë kohë më parë, dhe përkundër kësaj, njerëzit po shëtisnin rreth mureve të kishës dhe vendasit ishin “të befasuar që dikush e përvetësoi kishën brenda natës”.

“Kjo na befasoi, nuk mendoj se ndonjë nga popullata lokale e vendosi atë shenjë. Ne nuk kemi asnjë problem me shqiptarët që jetojnë këtu”, tha Tomasheviq.

Sipas tij, rreth 150 serbë jetojnë në këtë fshat dhe përbëjnë shumicën aty, ndërsa ka më shumë shqiptarë në fshatrat përreth.

(Kosova Sot Online)