Qeveria u shpall e zgjedhur në mënyrë kundërkushtetuese, por masat dhe vendimet e saj vlejnë ende

  • E.K /
  • 22 December 2020 - 09:00
 Qeveria u shpall e zgjedhur në mënyrë kundërkushtetuese, por masat dhe vendimet e saj vlejnë ende

Qeveria e Kosovës u rrëzua të hënën në mbrëmje pas një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese, e cila e shpalli në kundërshtim me Kushtetutën zgjedhjen e Ekzekutivit më 3 qershor.

Pas këtij vendimi unanim të gjykatësve të Kushtetueses, u ngrit dilema se a duhet të respektohen masat për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, meqenëse ato i ka marrë një qeveri e zgjedhur në mënyrë kundërkushtetuese. Por kjo gjykatë në vendimin për rrëzimin e Qeverisë dhe shkuarjen në zgjedhje të parakohshme, ka konstatuar se aktgjykimi i saj nuk ka efekt në vendimet e marra nga Qeveria tashmë në detyrë.

“Ky Aktgjykim nuk ka efekt prapaveprues dhe mbështetur në parimin e sigurisë juridike vendimet e Qeverisë mbeten në fuqi, si dhe Qeveria mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e Qeverisë së re”, thuhet në konstatimin e pestë të aktgjykimit.

Gjykata Kushtetuese vendosi se vota e deputetit Etem Arifi – i cili është i dënuar me burgim – për formimin e Qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti ishte e pavlefshme.

Sipas këtij aktgjykimi, Arifi nuk do të duhej të certifikohej fare për të kandiduar në zgjedhjet e vitit 2019.

“Vendimi nr. 07/V-014 i Kuvendit të Republikës së Kosovës për Zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, i 3 qershorit 2020, nuk është në pajtueshmëri me paragrafin 3 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, sepse Qeveria nuk ka marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në aktgjykimin e Kushtetueses. 

Lëvizja Vetëvendosje i është gëzuar më së shumti këtij vendimi që u dha të drejtë pretendimeve të paraqitura nga ky subjekt politik në Kushtetuese në korrik. Partia Demokratike e Kosovës po ashtu u shpreh se e mirëpret këtë aktgjykim. Përafërsisht njësoj u shpreh edhe Behgjet Pacolli, kryetar i Aleancës Kosova e Re, ndërsa partitë e koicionit qeverisës s’janë deklaruar ende.

Sot, ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, do t’i mbledh në takim partitë politike për t’u dakorduar për datën e zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga shpallja e tyre.

(Kosova Sot Online)