Ky vend shënon rastin e parë me COVID-19 që nga prilli, fajësohet piloti i huaj

  • E.K /
  • 22 December 2020 - 11:01
 Ky vend shënon rastin e parë me COVID-19 që nga prilli, fajësohet piloti i huaj

Tajvani e ka regjistruar rastin e parë të transmisionit lokal të koronavirusit që nga 12 prilli, duke e fajësuar një pilot të huaj për përfundimin e periudhës prej 253 ditësh pa raste të reja.

Autoritetet shëndetësore thanë se një grua në të tridhjetat ka dalë pozitive në testin për koronavirus pas kontaktit me një pilot nga Zelanda e Re, i cili punon për një kompani tajvaneze.

Ministri i Shëndetësisë, Chen Shih-chung, tha se piloti ka dështuar që t’i deklarojë në mënyrë të saktë kontaktet dhe aktivitetet e tij para autoriteteve në momentin që është konfirmuar si bartës i virusit, shkruan The Guardian.

Sipas autoriteteve, piloti i ka vizituar disa ndërtesa, përfshirë një qendër tregtare. Ai mund të dënohet me mbi 10 mijë dollarë.

Deri më tani, Tajvani ka regjistruar vetëm 770 raste të koronavirusit dhe shtatë të vdekur. Ky vend është vlerësuar lart për menaxhimin e suksesshëm të situatës. Në fazën e parë të pandemisë, Tajvani i ka mbyllur kufijtë dhe ka zbatuar rregulla të rrepta të karantinës.

Shumica e personave që vijnë nga vendet e huaja duhet të futen në karantinë për dy javë dhe duhet të dalin negativë në test. Kjo masë ka bërë që virusi të mos përhapet nga të huajt te komunitetet lokale.

Sidoqoftë, pilotët u nënshtrohen masave më të lehta, përfshirë vetizolimin për tri ditë. Rasti i pilotit të infektuar ka nxitur debat për atë se a duhet të ashpërsohen rregullat edhe për këtë kategori.

(Kosova Sot Online)