Haki Rugova: As që e kam parë vendimin e Kushtetueses, deri nesër s’merremi me të

  • E.K /
  • 22 December 2020 - 11:38
 Haki Rugova: As që e kam parë vendimin e Kushtetueses, deri nesër s’merremi me të

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haki Rugova ka thënë se ende s’janë takuar dhe s’kanë diskutuar lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese që e rrëzoi Qeverinë e udhëhequr nga ky subjekt politik.

Rugova tha se ai as nuk e ka parë ende aktgjykimin, ndërsa shtoi se deri nesër nuk do të merren me të.

“As që e kemi diskutuar. As s’jemi taku, as s’e kemi diskutu. Deri nesër nuk do të merremi me vendimin. Çka ka me të thënë unë. As që e kam pa aktgjykimin”, tha Rugova.

Ai tha se pret që aktgjykimi të dorëzohet zyrtarisht në selinë e LDK-së dhe pastaj të analizohet e diskutohet, para se të dalin me ndonjë qëndrim si parti.

“Aktgjykimi dorëzohet zyrtarisht, e merr, e këqyrë, mblidhen strukturat partiake, e diskutojnë, e analizojnë ekspertët, e atëherë dalim me një qëndrim politik”, tha Rugova.

Ai tha se ndodhet në Istog dhe se “s’e di a e kanë çu zyrtarisht” aktgjykimin në LDK. “Sigurisht s’e kanë çu. Pyete administratën e LDK-së, sekretarin e LDK-së…”, shtoi Rugova.

Qeveria e Kosovës u rrëzua të hënën në mbrëmje pas një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese, e cila e shpalli në kundërshtim me Kushtetutën zgjedhjen e ekzekutivit, më 3 qershor.

Gjykata Kushtetuese vendosi se vota e deputetit Etem Arifi – i cili është i dënuar me burgim – për formimin e Qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti ishte e pavlefshme.

Lëvizja Vetëvendosje i është gëzuar më së shumti këtij vendimi që u dha të drejtë pretendimeve të paraqitura nga ky subjekt politik në Kushtetuese në korrik. Partia Demokratike e Kosovës po ashtu u shpreh se e mirëpret këtë aktgjykim. Përafërsisht njësoj u deklarua edhe Behgjet Pacolli, kryetar i Aleancës Kosova e Re, ndërsa partitë e koalicionit qeverisës s’janë deklaruar ende zyrtarisht.

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, në orën 13:00 do t’i mbledhë në takim partitë politike për t’u dakorduar për datën e zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga shpallja e tyre.

(Kosova Sot Online)