Memli Krasniqi do të shkojë në zyrën e Vjosa Osmanit për të diskutuar rreth datës së zgjedhjeve

  • E.K /
  • 22 December 2020 - 12:39
 Memli Krasniqi do të shkojë në zyrën e Vjosa Osmanit për të diskutuar rreth datës së zgjedhjeve

Nënkryetari i PDK-së, Memli Krasniqi do ta përfaqësojë Partinë Demokratike të Kosovës në takimin konsultues me ushtruesen e detyrës së presidentit, Vjosa Osmanin në orën 15:00.

Osmani do t’i nisë konsultimet me partitë politike për datën e zgjedhjeve, duke filluar nga LVV-ja në orën 13:00. Një orë më pas, Osmani e pret në Presidencë LDK-në, ndërsa pas PDK-së në orën 15:00, Osmani do të takohet me AAK-në.

“Nesër u.d. Presidentja Osmani do të vijojë takimet me përfaqësuesit e subjekteve të tjera politike”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Qeveria e Kosovës u rrëzua të hënën në mbrëmje pas një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese, e cila e shpalli në kundërshtim me Kushtetutën zgjedhjen e ekzekutivit, më 3 qershor.

Gjykata Kushtetuese vendosi se vota e deputetit Etem Arifi – i cili është i dënuar me burgim – për formimin e Qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti ishte e pavlefshme.

Lëvizja Vetëvendosje i është gëzuar më së shumti këtij vendimi që u dha të drejtë pretendimeve të paraqitura nga ky subjekt politik në Kushtetuese në korrik. Partia Demokratike e Kosovës po ashtu u shpreh se e mirëpret këtë aktgjykim. Përafërsisht njësoj u deklarua edhe Behgjet Pacolli, kryetar i Aleancës Kosova e Re, ndërsa partitë e koalicionit qeverisës s’janë deklaruar ende zyrtarisht.

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, në orën 13:00 do t’i mbledhë në takim partitë politike për t’u dakorduar për datën e zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga shpallja e tyre.

(Kosova Sot Online)