Biontech: Gjasa të mëdha që vaksina të funksionojë kundër variantit të ri të virusit

  • G.G /
  • 22 December 2020 - 12:56
Biontech: Gjasa të mëdha që vaksina të funksionojë kundër variantit të ri të virusit

Shefi ekzekutiv i kompanisë gjermane “BioNTech”, Ugur Sahin, ka thënë se beson që vaksina e kësaj kompanie kundër koronavirusit funksionon edhe kundër variantit të ri të virusit që është paraqitur në Britaninë e Madhe.

Sidoqoftë, ai theksoi se nevojiten hulumtime shtesë për t’u siguruar rreth efikasitetit të vaksinës kundër variantit që ka pësuar mutacion, shkruan The Guardian.

Sahin shtoi gjatë konferencës për gazetarë se ekipi i tij është duke punuar për të parë nëse vaksina e ka të njëjtin efekt edhe ndaj variantit të paraqitur në Britani ose nëse do të ketë nevojë që vaksina të ndryshohet. Sipas tij, rezultatet do të dihen pas dy javësh.

“Për momentin nuk e dimë nëse vaksina jonë mund të ofrojë mbrojtje kundër këtij varianti të ri. Megjithatë, shkencërisht, ka shumë gjasa që reagimi imunitar nga kjo vaksinë gjithashtu mund të përballet me variantet e reja të virusit”, tha shkencëtari gjerman me prejardhje turke.

Më tej, ai shtoi se proteinat i variantit të ri të koronavirusit janë 99 për qind të njëjta me proteinat e varianteve tjera. “Nuk ka arsye për shqetësim, BioNTech ka besim shkencor se vaksina do të jetë efektive”, tha Sahin.

Megjithatë, nëse vaksina do të ketë nevojë të përshtatet për ta luftuar variantin e ri, kompania mund ta bëjë këtë për rreth gjashtë javë, tha Sahin.

(Kosova Sot Online)