Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, PDK thërret konferencë për media

  • G.G /
  • 22 December 2020 - 13:01
Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, PDK thërret konferencë për media

Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim dje që vendi të shkojë në zgjedhje.

Vota e deputetit Etem Arifi është shpallur e pavlefshme dhe kësisoj edhe Qeveria Hoti nuk është më legjitime.

Pas këtij vendimi, Partia Demokratike e Kosovës ka thirrur një konferencë për media për ditën e sotme.

Nga ky subjekt kanë bërë të ditur se kryetari në Detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, do të mbajë sot konferencë për media, në orën 14:00.

Nga ky subjekt kanë thënë sot për express se Enver Hoxhaj do t’i prijë PDK-së në përgatitjet për zgjedhje, megjithatë s’ka specifikuar se kush do të jetë kandidat potencial për kryeministër, në rast se vendos të garojë e vetme.

“Sa i përket kryetarit, Partia Demokratike e Kosovës e ka ushtruesin e detyrës z. Enver Hoxha dhe ai do t’i prijë partisë në zgjedhje”, ka thënë deputeti Kujtim Gashi.

Në ndërkohë për sa i përket kandidatit të kësaj partie për kryeministër, Gashi theksoi se nuk është diskutuar ende.

Ai potencoi se në ditët në vijim do të ketë veprime konkrete për sa i përket këtij aspekti.

“Për çështjet tjera ende nuk kemi diskutuar, sigurisht që ditëve në vazhdim do të kemi veprime konkrete në këtë drejtim”, ka thënë më tutje ai.

(Kosova Sot Online)