Përfaqësuesit e bizneseve në takim me Hotin, kërkojnë të votohet buxheti para shpërndarjes së Kuvendit

  • G.G /
  • 22 December 2020 - 13:29
Përfaqësuesit e bizneseve në takim me Hotin, kërkojnë të votohet buxheti para shpërndarjes së Kuvendit

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka mbajtur sot një takim virtual me komunitetin e biznesit, në të cilin ka folur për masat e reja anti-Covid.

Në një njoftim për media nga zyra e Kryeministrit, thuhet se komuniteti i biznesit ka kërkuar që Kuvendi të mos shpërndahet pa e miratuar buxhetin për vitin 2021.

“Komuniteti i biznesit ofroi mbështetje për masat e reja anti-Covid-19  dhe insistoi që Kuvendi të mos shpërndahet pa e miratuar buxhetin 2021. Kryeministri Hoti i siguroi ata se është në komunikim të vazhdueshëm me grupet parlamentare dhe se po angazhohet maksimalisht që përbërja aktuale e Kuvendit të miratojë buxhetin për vitin e ardhshëm, si dhe disa marrëveshje ndërkombëtare që lidhen me buxhetin”, thuhet në njoftim.

Tutje bëhet e ditur se Hoti dhe përfaqësuesit e komunitetit të biznesit janë pajtuar se buxheti është kush për krijimin e pakos së re dhe zbatimin e masave për rimëkëmbje ekonomike.

“Kryeministri Hoti dhe përfaqësuesit e komunitetit të biznesit, u pajtuan se buxheti është parakusht për krijimin e pakos së re dhe zbatimin e masave për rimëkëmbje ekonomike, respektivisht mbështetje të bizneseve të prekura nga pandemia Covid -19”, thekson njoftimi.

(Kosova Sot Online)