Takimi i kësaj radhe mes Kurtit e Osmanit, në Zyrën e Presidentit

  • G.G /
  • 22 December 2020 - 13:44
Takimi i kësaj radhe mes Kurtit e Osmanit, në Zyrën e Presidentit

U.d e presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani i ka nisur takimet në presidencë. Të parin e ka pritur kreun e LVV-së, Albin Kurtin, derisa gjatë ditës do të takohet edhe me krerët tjerë e përfaqësues të partive. Me të gjithë këta Osmani do të flasë për datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Të parin e priti Albin Kurtin në presidencë. Me Kurtin në një takim që është paraparë të zgjasë deri në 1 orë, Osmani do të flasë për zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Pos, shefit të Lëvizjes Vetëvendosje që do t’ia shpalosë qëndrimin e tij për zgjedhjet u.d të presidentit, Osmani do të takohet në ora 14:00 me përfaqësues të LDK-së, një orë më pas me ata të PDK-së e pastaj me përfaqësuesin e AAK-së.

Ky takim i Osmanit vjen pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e Qeverisë Hoti.

Sipas këtij aktvendimi, në Kosovë duhet të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme brenda 40 ditëve.

Gjykata Kushtetuese mbrëmë ka vendosur pro kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje rreth vlefshmërisë së votës së deputetit Etem Arifi për zgjedhjen e Qeverisë Hoti, me çka edhe zyrtarisht vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve të reja të parakohshme.

Vota e deputetit Etem Arifi që ishte vendimtare për zgjedhjen e Qeverisë Hoti, më 3 qershor.

Kushtetuesja ka konstatuar se, në bazë të nenit 71.1 të Kushtetutës të Republikës së Kosovës, në ndërlidhje me nenin 29.1 (q) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, personi i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tri (3) vitet e fundit, nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të fitojë mandat të vlefshëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Ajo, po ashtu, ka konstatuar se Vendimi nr. 07/V-014 i Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë së Kosovës, i 3 qershorit 2020, nuk është në pajtueshmëri me paragrafin 3 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, sepse Qeveria nuk ka marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe duke pasur parasysh se Qeveria nuk është zgjedhur sipas paragrafit 3 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, atëherë mbështetur në paragrafin 4 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, Presidenti i Republikës së Kosovës shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre.

Vendimet e Qeverisë mbeten në fuqi, si dhe Qeveria mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e Qeverisë së re, thuhet në vendimin e Kushtetueses. 

(Kosova Sot Online)