Mbi 46 mijë mërgimtarë kanë ardhur brenda pak ditësh në Kosovë

  • A.P /
  • 22 December 2020 - 17:27
Mbi 46 mijë mërgimtarë kanë ardhur brenda pak ditësh në Kosovë

Kosova është mbushur më mërgimtarë javët e fundit. Pavarësisht situatës me pandeminë, ata kanë zgjedhur që festat e fundvitit t’i kalojnë bashkë me familjarët në vendlindje. Për numrin e mërgimtarëve që kanë hyrë në Kosovë gjatë vikendit dhe të hënës, janë deklaruar nga Policia e Kosovës dhe Aeroporti i Prishtinës.

Pandemia COVID-19 duket se s’ua ka lënë “shenjë” mërgimtarëve. Rruga e gjatë dhe rreziku nga infektimi nuk i ka penguar ata që t’ia mësyjnë vendlindjes për fundvit.

Një numër shumë i madh i tyre tashmë kanë arritur në Kosovë.

Në Policinë e Kosovës i kanë thënë  se vetëm gjatë këtij vikendi (të dielën), përmes kufijve tokësor, kanë hyrë mbi 30 mijë persona.

Mërgimtarë të shumtë kanë ardhur edhe përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Zëdhënësi i aeroportit, Bujar Gashi i ka thënë se që nga e shtuna e deri të hënën, përmes aeroportit kanë hyrë 16 mijë e 379 pasagjerë.

Gashi ka dhënë detaje edhe për shtetet prej të cilave ka pasur më shumë udhëtarë.

“Numri më i madh i udhëtarëve që fluturojnë per dhe nga aeroporti e Prishtinës mbetet Zvicra, me qytetet e saj si Bazeli, Cyrihu dhe Genava, më pas vjen Gjermania, me qytete si Dyseldorf, Shtugarti, Mynihu dhe Berlini  e kështu me radhë”, ka thënë Gashi.

Gjendja aktuale nëpër pikat kufitare

Bazuar në të dhënat e fundit të Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, mërgimtarët që po kalojnë përmes Merdares dhe Dheut të Bardhë po përballen me pritje gjatë hyrjes në vend,

Në Merdare po iu bie të presin nga 5-10 minuta për të hyrë në vend, derisa te Dheu i Bardhë deri në 20 minuta.

Ndërkohë, pritjet për të dal nga Kosova janë nga tre deri në pesë minuta.

Rregullat që duhet të respektojnë mërgimtarët gjatë hyrjes në Kosovë

Shkaku i situatës me pandeminë, Qeveria e Kosovës ka vendosur disa kushte për mërgimtarët dhe shtetasit e huaj gjatë hyrjes në Kosovë.

Ata që jetojnë në shtetet me rrezikshmëri të lartë të infektimit, duhet të posedojnë një test PCR-Negativ jo më të vjetër se 72 orë.

Por, kush duhet të posedojë saktësisht një test të tillë?

-Qytetarët e huaj që hyjnë në Kosovë, përfshirë edhe ata me leje qëndrim të përkohshëm ose përhershëm në Kosovë, që vijnë nga vendet me risk të lartë sipas listës zyrtare të ECDC-së, duhet të kenë test RT-PCR negativ për Covid-19 të bërë në 72 orët e fundit.

Përjashtim nga pika 1 më lartë bëjnë:

-Nëse qytetari i huaj hynë në Kosovë përmes aeroportit apo përmes pikave kufitare tokësore dhe largohet nga Kosova brenda 3 ore përmes aeroportit ose pikave kufitare tokësore, me kusht që në hyrje të nënshkruajnë deklaratën se do ta lëshojë Kosovën brenda 3 ore;

-Qytetarët e huaj që punojnë si transportuesi profesionistë (vozitësit), me kusht që të respektojnë protokollin për transport ndërkombëtarë për mbrojtje nga Covid-19;

-Qytetarët e huaj që kalojnë nëpër Kosovë përmes transportit të organizuar me autobus ose me linjë të rregullt ndërkombëtare tranzite, me kusht që të nënshkruhet deklarata se do ta lëshojnë territorin e Kosovës brenda 5 orësh;

-Diplomatët e huaj të akredituar në Kosovë si dhe familjarët e tyre;

-Të gjithë qytetarët e Kosovës (përfshirë edhe ata me vendbanim në një shtet tjetër), gjatë hyrjes në Kosovë duhet të paraqesin vërtetim për test RT-PCR negativ të bërë më së largu 72 orë para hyrjes në Kosovë, në të kundërtën duhet të vetë-izolohen për 7 ditë.

-Përjashtim nga pika 3 më lartë bëjnë qytetarët e Kosovës (përfshirë edhe ata me vendbanim në një shtet tjetër) që kanë dalë jashtë Kosovës në 24 orët e fundit.

-Komunave iu kërkohet që të ofrojnë ekipet teknike mjekësore të QKMF-ve (Qendrave Kryesore të Mjekësisë Familjare), që me mbështetjen e Policisë së Kosovës, të bëjnë kontrollin e udhëtarëve që hyjnë në pikat kufitare: Merdar, Vermicë, Kullë, Hani i Elezit, Jarinjë, Dheu i Bardhë dhe ANP “Adem Jashari”, përfshirë para se gjithash matjen e temperaturës.

Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka njoftuar se në 24 orët e fundit janë konfirmuar 137 raste pozitive me COVID-19 dhe 10 raste të vdekjes.

Me këto raste, numri i të infektuarve që nga fillimi i pandemisë ka arritur në 49 mijë e 306, me gjithsej 1 mijë e 272 raste të vdekjes.

“Numri total i rasteve pozitive është 49.306 raste nga 173.986 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.272 raste të vdekjes. Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 382 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 37.155 raste, kurse numri i rasteve aktive është 10.879”, thuhet në njoftimin e fundit të IKSHP’së.

(Kosova Sot Online)