Një strehimore e kafshëve të egra akuzohet për prerje të tigrave

  • E.K /
  • 23 December 2020 - 10:12
Një strehimore e kafshëve të egra akuzohet për prerje të tigrave

Një strehimore për kafshë të egra në Kinë, e lidhur me shtetin, është akuzuar për prerjen e fshehtë të tigrave që janë në rrezik nga zhdukja dhe për shitjen e pjesëve të kafshëve si produkte me qëllim të përfitimit financiar.

Strehimorja Qinhuangdao, e cila është nën kontrollin e Shoqatës Kineze për Mbrojtjen e Kafshëve të Egra, dyshohet se e ka shitur gëzofin e tigrave për rreth 105.000 dollarë për copë, ndërsa eshtrat e tyre i ka përdorur për prodhimin e një pije tradicionale, transmeton Gazeta Express.

Lexo Edhe:

Arrestohet një grua në Aeroportin e Prishtinës, iu gjet drogë në çantë

Drejtorët e kësaj qendre thuhet se u kanë shërbyer mish tigri zyrtarëve kinezë, të cilët si shpërblim nuk e kanë raportuar rastin në organe më të larta.

Sipas të dhënave që janë ofruar nga informuesit anonimë, strehimorja i ka mbajtur mbi 10.000 kafshë të egra, të cilat ka synuar t’i shesë, t’i ther dhe madje ka pasur edhe qëllim të konsumimit të tyre me qëllim të fitimit financiar gjatë dy dekadave të fundit.

Ren Jingde, zëvendësdrejtor i qendrës, thuhet se i ka urdhëruar punëtorët që t’i copëtojnë trupat e tigrave siberianë, që janë specie e rrezikuar me vetëm 500 që kanë mbetur në natyrë të lirë.

Këta tigra dyshohet se janë mbytur përmes shokut elektrik dhe më pas u është hequr lëkura. Besohet se eshtrat e tyre janë përdorur për ta prodhuar të ashtuquajturën verë nga eshtrat e tigrit.

Kjo pije është e ndaluar për t’u shitur në Kinë nga viti 1993. Sidoqoftë, dyshohet se pija është shitur publikisht në strehimoren e kafshëve me një çmim prej 5.000 juanësh apo 763 dollarësh për shishe.

Kjo qendër është akuzuar për shitje të pjesëve të trupit të tigrave që nga viti 2008.

(Kosova Sot Online)