Arrestohet prizrenasi, me armë të plastikës paraqitet si polic dhe kërkon të respektohen masat

  • E.K /
  • 23 December 2020 - 11:06
Arrestohet prizrenasi, me armë të plastikës paraqitet si polic dhe kërkon të respektohen masat

Në Prizren është arrestuar një person i cili ishte paraqitur si polic, duke shkuar në një qendër bamirësie dhe duke kërkuar respektim të masave anti-Covid.

I dyshuari e kishte vizituar disa herë qendrën e bamirësisë me pretekstin se është zyrtar i Policisë.

“Me datën 22 dhjetor 2020, policia në Prizren ka pranuar një informacion se një person i dyshimtë që disa herë viziton një qendër bamirësie në Prizren me pretekstin se është person zyrtarë dhe kërkon respektimin e masave anticovid-19. Në këtë rast i dyshimti prezantohet si person zyrtar në cilësinë e policit. Punëtorët e kësaj qendre duke dyshuar se ky person nuk është polic të njëjtin e raportojnë dhe gjatë verifikimit nga njësia e hetimeve rajonale, është konstatuar së ky person është prezantuar rrejshëm”, ka njoftuar Policia e Prizrenit.

I dyshuari ka mbajtur një armë, e cila më vonë është vërtetuar se është e plastikës.

“I dyshimti tashmë S.D i lindur në vitin 1973, mbante në brez një armë (Pistoletë) me këllëf, por e cila më vonë është vërtetuar se ishte lodër e plastikes, pra nuk ishte armë e vërtete. I dyshuari paraprakisht  edhe para dy muajve e kishte kryer të njëjtin veprim”, ka bërë të ditur Policia.  

Rasti do të vazhdojë në procedurë të rregullt.

“I dyshuari është shoqëruar  në polici nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Prizren ku edhe është intervistuar, gjithashtu i është sekuestruar edhe pistoleta e plastikës me mbishkrimin ‘’DESERT EAGLE PISTOL”. Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit rasti do të vazhdojë në procedurë të rregullt hetimore”.

(Kosova Sot Online)