Dalibor Jevtiq nga Prishtina i siguron serbët: S’ju duhet test PCR për të hyrë në Kosovë

  • E.K /
  • 23 December 2020 - 11:51
Dalibor Jevtiq nga Prishtina i siguron serbët: S’ju duhet test PCR për të hyrë në Kosovë

Qeveria e Kosovës të martën miratoi një sërë masash të reja për parandalimin e koronavirusit të cilat do të vlejnë gjatë festave të fundvitit.

Një pjesë e masave i referohen detyrimit për ta pasur një test negativ PCR për koronavirus për të gjithë qytetarët e huaj. Por, ministri serb i Kosovës për Komunitete dhe Kthim, Dalibor Jevtiq, u ka thënë serbëve që duan të hyjnë në Kosovë se nuk kanë nevojë të kenë një test të tillë.

“Për ta sqaruar dilemën rreth testeve PCR për hyrjen në Kosovë nga Serbia: NUK kërkohet test negativ PCR për #COVID19”, shkruan Jevtiq në Twitter.

Një pjesë e masave të marra dje nga ekzekutivi i referohet detyrimit për të pasur një rezultat negativ të testit PCR për të gjithë qytetarët e huaj që vijnë nga vende me risk të lartë të infeksionit.

“Qytetarët e huaj që hyjnë në Kosovë, përfshirë edhe ata me leje qëndrim të përkohshëm ose përhershëm në Kosovë, që vijnë nga vendet me risk të lartë sipas listës zyrtare të ECDC-së, duhet të kenë test RT-PCR negativ për Covid-19 të bërë në 72 orët e fundit”, thuhet në vendimin e Qeverisë.

Përjashtim nga kjo masë bëjnë shtetasit e Kosovës, përfshirë ata që banojnë në vende të tjera, të cilët largohen nga Kosova për 24 orë.

(Kosova Sot Online)