Endrit Shala: Nisma s’ka ende vendim për të hyrë në koalicione

  • E.K /
  • 23 December 2020 - 11:55
Endrit Shala: Nisma s’ka ende vendim për të hyrë në koalicione

Deputeti Endrit Shala e ka përfaqësuar sot Nisman Socialdemokrate në takimin me ushtruesen e detyrës së Presidentit, Vjosa Osmani. Pas takimit ai tha se me Osmanin kanë biseduar për një datë të mundshme se kur vendi mund të shkojë në zgjedhje.

“Ne emër të Nismës Socialdemokrate sot u takova me u.d e Presidentit, Vjosa Osmani. Siç e dini pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese vendi shkon në zgjedhje dhe në takim me të biseduam lidhur me dakordimin e të gjitha subjekteve politike për datën e zgjedhjeve”, ka thënë ai.

Shala tha se kanë kërkuar nga Osmani që të thirret sa më shpejtë një seancë e veçantë për miratimin e buxhetit.

“Kurdo që të caktohet data e zgjedhjeve kërkuam që të gjitha subjektet politike që janë të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës të thirren sa më shpejtë për ta votuar një seancë të veçantë që ta votojmë buxhetin, që pastaj ballafaqimi me çfarëdo situate tjetër të mos të shihet dhe mos të jemi para mundësisë së bllokimit institucional për shkak që ky buxhet të mos mund të miratohet”, ka thënë më tutje ai.

Deputeti i Nismas foli edhe për mundësinë që Nisma të bëj koalicione parazgjedhore me parti politike në vend. Sipas tij momentalisht nuk kanë ndonjë vendim për sa i përket kësaj çështjeje.

“Organet e drejtuese janë që Nisma të shkojë e vetme në zgjedhje. Pas caktimit të zgjedhjeve, organet do të vendosin nëse do të shkojnë me ndonjë parti politike në zgjedhje. Nisma është subjekt politik dhe nuk do të shkrihet asnjëherë në asnjë subjekt politik. Nisma mund të bëj koalicione me subjekte të tjera varësisht prej marrëveshjeve që bën. Nuk kemi vija të kuqe për asnjë”, ka thënë ai.

(Kosova Sot Online)