Rusia e akuzon Joe Biden për rusofobi: Raportet e këqija do të keqësohen tutje

  • E.K /
  • 23 December 2020 - 15:40
 Rusia e akuzon Joe Biden për rusofobi: Raportet e këqija do të keqësohen tutje

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Rusisë, Sergei Ryabkov, e ka akuzuar për rusofobi administratën në ardhje të presidentit të zgjedhur amerikan, Joe Biden, duke thënë se pret që marrëdhëniet mes vendeve të shndërrohen nga të këqija në më të këqija.

“Do të ishte çudi të presësh gjëra të mira nga njerëz, shumë prej të cilëve i ndërtuar karrierat e tyre mbi rusofobinë dhe duke hedhur baltë mbi vendin tim”, tha zyrtari rus më pak se një muaj para inaugurimit të Bidenit në Shtëpinë e Bardhë.

Pesimist për raportet me Shtetet e Bashkuara u tregua edhe zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov. Ai tha se nuk pret asgjë pozitive në marrëdhëniet me ShBA-në, shkruan Free Europe.

Marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë janë keqësuar viteve të fundit për shkak të disa çështjeve, përfshirë aneksimin e Krimesë nga Rusia në vitin 2014, ndërhyrjen ruse në zgjedhjet në ShBA dhe Evropë si dhe disa sulme kibernetike, për të cilat amerikanët e kanë fajësuar Rusinë.

Presidenti i ri amerikan pritet që të mbajë qëndrim më të ashpër ndaj Rusisë sa u përket politikave të jashtme dhe respektimit të të drejtave të njeriut në krahasim me paraardhësin e tij, Donald Trump, i cili është kritikuar për qasje shumë të butë ndaj fuqisë rivale.

Se Rusia nuk e ka mirëpritur fitoren e Bidenit në zgjedhjet e muajit të kaluar tregon edhe fakti që presidenti rus, Vladimir Putin, e uroi homologun për triumfin e tij vetëm gjashtë javë pas zgjedhjeve.

(Kosova Sot Online)