A do të ketë koalicione? Tri partitë më të mëdha thonë se garojnë për vendin e parë

  • E.K /
  • 24 December 2020 - 09:15
 A do të ketë koalicione? Tri partitë më të mëdha thonë se garojnë për vendin e parë

Vetëm PDK-ja e ka zyrtarizuar deri më tani kandidatin për kryeministër të Kosovës. Tri partitë më të mëdha në vend, kanë filluar tashmë parafushatën, edhe pse nuk i kanë propozuar emrat që do të garojnë për shef ekzekutivi. Partia Demokratike, Vetëvendosja e LDK-ja thonë se po shkojnë në zgjedhje për të dalë të parët.

Në zgjedhjet e gjashtë tetorit të vitit 2019, Lëvizja Vetëvendosje me kandidat Albin Kurtin për kryeministër kishte arritur të dilte e para.

Me një diferencë të ngushtë në vota, LDK-ja me kandidate Vjosa Osmanin ishte radhitur e dyta, ndërsa PDK-ja në krye me Kadri Veselin si parti e tretë.

Rrjedhimisht, tri partitë më të mëdha në vend nuk patën fort dallim as në Kuvend të Kosovës me numër të deputetëve.

Megjithatë, situata duket të ketë ndryshuar pas zhvillimeve të shumta që kanë ndodhur.

Tani, kur Gjykata Kushtetuese e ka shpallur jolegjitime zgjedhjen e Qeverisë Hoti dhe vendi detyrohet të shkojë në zgjedhje brenda 40 ditësh, gara mes partive politike vetëm se ka filluar.

Pavarësisht kësaj veç PDK-ja e ka zyrtarizuar kandidatin e saj për kryeministër. Në një mbledhje që kanë mbajtur dje në kryesi, Partia Demokratike e Kosovës e ka zgjedhur si kandidat për kryeministër u.d. së kryetarit të këtij subjekti, Enver Hoxhaj.

Pas kandidimit për kryeministër, Hoxhaj ka thënë se po garojnë për vendin e parë.

“PDK-ja në këto zgjedhje garon për vendin e parë. Së shpejti do të dalim edhe me program politik”, është shprehur Hoxhaj.

Hoxhaj tha se situata nuk është e ngjashme si në vitet 2019 dhe 2014, ku PDK-ja nuk favorizohej nga sondazhet. Ai tha se në sondazhe partia e tij qëndron jashtëzakonisht mirë.

“Nuk është e krahasueshme me situatën që ishte në 2019-n, madje edhe në 2014-n ku të gjithë ishin kundër PDK-së. Por, ne në vitin 2014 dolëm të parët. Ne me sondazhe jemi jashtëzakonisht mirë”, shtoi ai.

Për dallim nga PDK-ja, Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk ka përmendur ndonjë emër që mund të jetë kandidat për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme.

Tashmë në opinion janë diskutuar disa opsione, por një vendim për njërin nga ta pritet të merret në struktura të partisë.

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, iu është drejtuar dje anëtarëve në 31-vjetorin e krijimit të subjektit.

Mustafa është shprehur i bindur se kanë ofertën më të mirë dhe se do të dalë partia e parë.

“Ne do të hyjmë në zgjedhje me bindjen e plotë se kemi ofertën më të mirë për vendin tonë, se do të dalim parti e parë. LDK-ja do të angazhohet me tërë kapacitetin e saj për integrimin e Kosovës në NATO dhe në strukturat e tjera ndërkombëtare”, ka thënë ai.

Situatë më e komplikuar është në partinë e Albin Kurtit. Lëvizja Vetëvendosje është duke pritur ende aktgjykimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese. Në këtë aktgjykim, Kurti tha se do të sqarohet edhe dilema e vënë në vendim, duke thënë se pas saj do të dalin me emrin e kandidatit për kryeministër.

Vetëvendosja është shprehur e bindur se do të dalë e para nga zgjedhjet që pritet të mbahen në fillim të janarit.

Madje, numri dy në këtë subjekt, Besnik Bislimi, dje ka prezantuar edhe një sondazh, sipas të cilit ai thotë se do të arrijnë deri në 60 deputetë.

Kjo parti pritet të bashkëpunojë me Iniciativën Qytetare të Vjosa Osmanit dhe me Alternativën e Mimoza Kusarit.

Derisa LVV-ja, LDK-ja e PDK-ja thonë se po garojnë për vendin e parë në zgjedhje, edhe partitë më të vogla kanë përmendur mundësitë e bashkëpunimit në koalicione.

NISMA e Fatmir Limajt ka thënë se po bisedon me PDK-në e Enver Hoxhajt. AKR-ja, gjithashtu, ka përmendur mundësinë e bashkimit me ndonjë parti më të madhe.

Në anën tjetër, AAK-ja e Ramush Haradinajt ka bërë të ditur për Express-in se ende nuk ka vendosur për kandidatin për kryeministër, kurse shefi i partisë do ta vazhdojë rrugën për t’u bërë president i shtetit. Në Aleancë kanë thënë se Haradinaj do të jetë bartës i listës.

(Kosova Sot Online)