Pas “Covidit britanik”, zbulohet një variant i ri i koronavirusit në një shtet tjetër!

  • G.G /
  • 25 December 2020 - 11:42
Pas “Covidit britanik”, zbulohet një variant i ri i koronavirusit në një shtet tjetër!

Një virus i ri Covid, 70% më i rrezikshëm po përhapet nga Britania e madhe në drejtim të Evropës. Virusi i ndryshuar (mutant) Covid është shfaqur në disa raste, edhe në Holandë, Danimarkë dhe Australi, raporton BBC. Vetë Holanda ka raportuar se i mbylli fluturimet me Anglinë, po ashtu Franca dhe disa vende të tjera.

Prej ditësh, Londra i është rikthyer izolimit total dhe prej saj vijnë sërish pamjet e ashtuquajtura “apokaliptike” që pushtuan shumë shtete gjatë dimrit të 2020. Rrugët e një prej qyteteve më të mëdha europiane pas disa muajsh dukeshin sërish bosh dhe me një qetësi që si asnjëherë më parë është tejet e padurueshme.

Autoritetet shqiptare kanë vendosur të pezullojnë fluturimet nga Britania në Shqipërin deri në datë 6 janar. Gjithashtu është vendosur që qytetarët që vijnë nga Britania në Shqipëri duhet të qëndrojnë 14 ditë karantinë. Lajmi u njoftua nga ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu në një konferencë për shtyp.

Sakaq, një variant i ri i koronavirusit është zbuluar në Nigeri dhe ka dyshime se mund të jetë ndryshe nga i ashtuquajturi Covidi britanik.

Drejtori i Qendrës afrikane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, John Nkengasong, bëri me dije në një deklaratë për mediat se autoritetet kanë nisur një hulumtim të përbashkët me Qendrën afrikane për për gjenomikën e sëmundjeve infektive.

Nkengasong theksoi se varianti i ri bazohet në 2 ose 3 sekuenca gjenetike.

“Varianti i ri i koronavirusit që u zbulua në Nigeri mund të jetë i ndryshëm nga ato në Britani të Madhe dhe Afrikën e Jugut. Na jepni pak kohë, është akoma shumë herët“, tha Nkengasong.

Nga nisja e pandemisë e deri tani, Nigeria numëron rreth 81 mijë të infektuar dhe 1.236 viktima.

(Kosova Sot Online)