Rusia e vazhdon përndjekjen e opozitarëve, fillon hetimet kundër aleates së Navalnyt

  • E.K /
  • 25 December 2020 - 12:31
 Rusia e vazhdon përndjekjen e opozitarëve, fillon hetimet kundër aleates së Navalnyt

Agjencitë ruse për sundimin e ligjit kanë hapur rast kriminal kundër aktivistet opozitare, Lyubov Sobol, e cila është aleate e kritikut të Kremlinit, Alexei Navalny.

Navalny dhe përkrahësit e aktivistet Sobol thanë se policia e mori atë në pyetje të premten në mëngjes dhe ia bastisi shtëpinë.

Përkrahësit e Navalnyt thanë se ky veprim i policisë ruse duket se është reagim ndaj vizitës që zonja Sobol bëri ditë më parë në shtëpinë e një personi që dyshohet se është agjent i FSB-së (shërbimit sekret rus).

Navalny më herët ka deklaruar se ky person ka qenë pjesë e komplotit për ta helmuar atë në gusht të këtij viti, shkruan Reuters.

Shërbimi Sekret Rus i ka mohuar akuzat se është përfshirë në helmimin e Navalnyt dhe i ka cilësuar ato si provokim që për qëllim e ka diskreditimin e agjencisë.

Sobol akuzohet se e ka shkelur shenjtërinë e shtëpisë së dikujt me përdorimin e kërcënimit për dhunë. Kjo akuzë bart dënim maksimal prej dy vjetësh burgim.

Njëri ndër kritikët më të mëdhenj të Putinit, Navalny tha se reagimi i autoriteteve është joproporcional dhe konfirmon se dyshimet e tij janë të vërteta.

Ai u dërgua në një spital në Gjermani në muajin gusht për trajtim urgjent mjekësor pasi iu përkeqësua shëndeti përderisa po udhëtonte me aeroplan.

Autoritetet gjermane kanë thënë se Navalny është helmuar me agjentin nervor, Noviçok, në përpjekje për ta vrarë atë.

(Kosova Sot Online)