Boeing 737 Max përsëri me probleme, bën ulje urgjente në ShBA

  • S.A /
  • 26 December 2020 - 08:55
Boeing 737 Max përsëri me probleme, bën ulje urgjente në ShBA

Një aeroplan i tipit Boeing 737-8 Max, i kompanisë ajrore “Air Canada”, ka bërë ulje të detyrueshme gjatë fluturimit nga Arizona në Montreal për shkak të një problemi të paraqitur në motor.

Pak pas ngritjes në qiell, pilotët morën një njoftim në tabelën sinjalizuese për problem në motor dhe vendosën që ta ndalin njërin prej motorëve, bëri të ditur të premten një zëdhënës i kompanisë kanadeze.

Ekuipazhi pranoi paralajmërim për presion të ulët hidraulik në motorin e majtë dhe e shpallën urgjencën para se ta devijonin fluturimin për në Tucson të Arizonës, shkruan The Guardian.

“Aeroplanët modernë janë të dizajnuar për të operuar edhe me një motor dhe ekuipazhet tonë janë të trajnuara për operacione të tilla”, thuhet në deklaratën e kompanisë “Air Canada”.

Prodhuesi amerikan i aeroplanëve, “Boeing”, dhe kompanitë që operojnë me këtë model të aeroplanit janë duke u përgatitur për vëzhgim më të rreptë pasi aeroplani u kthye në operim pas 20 muajve pauzë shkaku i dy aksidenteve fatale më 2018 dhe 2019, ku mbetën të vdekur gjithsej 346 njerëz.

Njëri aksident, ku mbetën të vdekur 189 persona, ndodhi në tetor të vitit 2018 afër Xhakartës së Indonezisë, ndërsa aksidenti tjetër ndodhi në mars të vitit 2019 në Etiopi, ku mbetën të vdekur 157 persona.

(Kosova Sot Online )