E papritur: Abdullahu aderon në PDK, Hoxhaj paralajmëron prurje të reja

  • A.P /
  • 28 December 2020 - 15:18
E papritur: Abdullahu aderon në PDK, Hoxhaj paralajmëron prurje të reja

Kandidati për kryeministër të Kosovës nga PDK-ja, Enver Hoxhaj ka prezantuar aderimin e Faton Abdullahut në partinë e tij.

Hoxhaj duke i uruar mirëseardhje Abdullahut ka thënë se dyert e partisë po happen edhe për intelektualët jashtë partisë, të cilët do ta kenë vendin dhe hapësirën e merituar në PDK.

“Tani Kosova po kalon në faza të vështira politike. Shteti ynë, i ndërtuar mbi shumë sakrifica, sot gjendet në udhëkryq. E kërcënuar së brendshmi nga populizmi dhe së jashtmi nga goditja ndaj UÇK-së dhe shtetësisë, Kosova ka nevojë të udhëhiqet nga një parti e dëshmuar shtetformuese si PDK-ja.”, tha ai.

Hoxhaj tha se për ta parandaluar zhbërjen e shtetit, PDK-ja do të garojë në këto zgjedhje në aleancë të gjerë me qytetarët dhe ekspertët e fushave të ndryshme që mund ta ndihmojnë vendin në këto momente vendimtare.

Ndërkaq, Faton Abdullahu duke e falënderuar Hoxhajn për pritjen, tha se ka vendosur t’i bashkangjitet PDK-së, sepse kjo parti ka hapur dyert për ide të reja, për njerëz të ri, për ndryshime të mëdha.

Si biri i ish të burgosurit politik Rexhep Abdullahu, Abdullahu theksoi se ADN-ja e tij politike dhe ADN-ja atdhetare e familjes së tij natyrshëm e lidhin me PDK-në.

Faton Abdullahu ka lindur në Prishtinë, ku e ka kryer shkollën fillore dhe të mesme. Ai ka përfunduar Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, ndërsa ka magjistruar shkencat politike në njërin nga Universitetet më të mira në Britani “UCL”.

Faton Abdullahu është autor i disa librave dhe analist politik në mediat vendore, për të cilat edhe shkruan rregullisht kolumne. Ai ka qenë kryeredaktor dhe gazetar në disa media si në vend ashtu edhe jashtë vendit. Ai ka qenë zëdhënës i Qeverisë së Kosovës në vitin 2016/17.

(Kosova Sot Online)