E rrallë: FSB-ja ruse operacion me DEA-n amerikane, konfiskohet shumë kokainë

  • G.G /
  • 29 December 2020 - 10:09
E rrallë: FSB-ja ruse operacion me DEA-n amerikane, konfiskohet shumë kokainë

Shërbimi Federal i Sigurisë (FSB) në Rusi tha të martën se ka bashkëpunuar me autoritetet aermikane për të konfiskuar me sukses sasi të madhe të kokainës dhe për shkatërrimin e një zinxhiri ndërkombëtar të trafikimit të drogës.

Në një deklaratë të rrallë për bashkëpunimin në fushën e sundimit të ligjit mes Moskës dhe Uashingtonit, FSB-ja njoftoi se ka konfiskuar 330 kilogramë kokainë, shkruan Reuters.

Sipas njoftimit, shumica e kësaj sasie është konfiskuar në rajonin e Moskës dhe operacioni është kryer në bashkëpunim me agjencinë që merret me luftimin e drogës, DEA, që funksionon si pjesë e Departamentit të Drejtësisë në ShBA.

Shërbimi sekret rus tha se operacioni i përbashkët ka filluar në Shën Petersburg në maj të këtij viti. Gjatë operacionit janë identifikuar dhe arrestuar anëtarë të një grupi kriminal të trafikimit të kokainës nga Amerika Jugore, Evropa dhe Rusia.

FSB-ja tha se sasia e kokainës së konfiskuar do të shitej për rreth 1 miliard rubla apo 13.6 milionë dollarë amerikanë.

Marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë janë mjaft të ftohta për shkak të qëndrimeve të ndryshme rreth disa çështjeve. Megjithatë, dy superfuqitë botërore vazhdojnë të bashkëpunojnë në fushën e sigurisë.

(Kosova Sot Online)