Koronavirusi i sjell Holandës më së shumti vdekje që nga Lufta e Dytë Botërore

  • G.G /
  • 29 December 2020 - 10:29
Koronavirusi i sjell Holandës më së shumti vdekje që nga Lufta e Dytë Botërore

Zyra për Statistika Kombëtare në Holandë tha të martën se numri i vdekjeve këtë vit ka shkuar në nivelin më të lartë që nga Lufta e Dytë Botërore për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Deri javën e kaluar, në shtetin me 17 milionë banorë këtë vit janë regjistruar rreth 162.000 vdekje, 13.000 më shumë sesa që do të priteshin në një vit normal, tha ky institucion.

“Një rritje e tillë e numrit të të vdekurve nuk është raportuar që nga Lufta e Dytë Botërore”, thuhet në deklaratën e Zyrës për Statistika Kombëtare.

Zyra tha se rreth 9.000 persona më shumë se zakonisht kanë vdekur gjatë valës së parë të pandemisë, nga fillimi i marsit deri në fillim të majit, ndërsa 6.000 njerëz më shumë kanë vdekur që nga fillimi i valës së dytë në mesin e shtatorit.

Ndryshe, Holanda deri më tani ka regjistruar mbi 770.000 raste të koronavirusit, ndërsa mbi 11.000 persona kanë vdekur nga pandemia, shkruan Reuters.

Sidoqoftë, shifrat e vërteta të infeksioneve dhe rasteve fatale ka gjasë të jenë shumë më të mëdha për shkak se mungesa e testeve dhe kapaciteteve laboratorike kanë ndikuar që vetëm personat e sëmurë rëndë janë testuar në muajt e parë të pandemisë.

(Kosova Sot Online)