BE-ja e akuzon Rusinë se po përdor dezinformata për ta shitur vaksinën Sputnik

  • E.K /
  • 29 December 2020 - 11:57
 BE-ja e akuzon Rusinë se po përdor dezinformata për ta shitur vaksinën Sputnik

Kryediplomati i BE-së, Josep Borrell, tha të hënën se Rusia i ka zgjedhur dezinformatat për vaksinat tjera për ta promovuar vaksinën e vet kundër koronavirusit.

Duke shkruar në faqen e tij zyrtare rreth kërcënimit që vjen nga dezinformatat, shefi i politikës së jashtme të BE-së theksoi: “Disa aktorë të huaj, qofshin shtetërorë apo joshtetërorë, madje angazhohen në fushata të dezinformimit, duke përhapur qëllimisht informata të rreme ose çorientuese”.

“Për shembull, zhvilluesit perëndimorë të vaksinave sulmohen haptazi në mediet shumëgjuhësore ruse që kontrollohen nga shteti. Kjo në disa raste ka çuar në pretendime aq absurde, sa të thuhet se vaksinat do t’i shndërrojnë njerëzit në majmunë. Rrëfime të tilla qartazi drejtohen në vendet ku Rusia dëshiron ta shesë vaksinën e vet, Sputnik V”, shkroi më tej Borrelli.

Sidoqoftë, ai nuk citoi ndonjë medium specifik apo faqe specifike të dyshuar për përhapjen e dezinformatave të tilla, shkruan Anadolu.

Borreli paralajmëroi se përpjekjet për hedhjen e dyshimeve të tilla e rrezikojnë shëndetin publik. Ai gjithashtu tha se organizatat terroriste e kanë shfrytëzuar hutinë e krijuar gjatë pandemisë për ta shpërndarë propagandën e tyre.

(Kosova Sot Online)