Shtetet frikësohen se varianti i ri i koronavirusit është përhapur përreth botës

  • E.K /
  • 29 December 2020 - 12:33
 Shtetet frikësohen se varianti i ri i koronavirusit është përhapur përreth botës

Disa shtete janë alarmuar për variantin e ri të koronavirusit, i cili është përhapur më shumë në Britaninë e Madhe.

Afrika Jugore, një ndër vendet e para që i ka vuajtur pasojat e përhapjes, po përballet me kufizime më të ashpra pasi besohet se varianti i ri ka shkaktuar rritje të konsiderueshme të numrit të rasteve.

Në Britani të Madhe, autoritetet duhet të vaksinojnë nga 2 milionë persona në javë për ta shmangur valën e tretë të pandemisë, sipas një studimi të Shkollës Londineze të Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale.

Hulumtuesit e kësaj shkolle thanë se viti 2021 mund të jetë edhe më i rëndë se viti që po e lëmë pas, nëse nuk realizohet një program i gjerë i vaksinimit, shkruan The Guardian.

Brenda Mbretërisë së Bashkuar, Anglia në veçanti po përgatitet për përkeqësim të situatës pasi të dhënat tregojnë se spitalet tani kanë më shumë pacientë me koronavirus se gjatë kulmit të parë të pandemisë në prill.

Në mbarë botën deri tani janë regjistruar mbi 80 milionë raste të infektimeve, ndërsa rreth 1 milion e 770 mijë kanë vdekur. Infeksionet janë raportuar në 210 shtete dhe territore.

(Kosova Sot Online)