Sot Isa Mustafa mbledhë kryesinë, LDK cakton kandidatin për kryeministër

  • G.G /
  • 30 December 2020 - 08:05
Sot Isa Mustafa mbledhë kryesinë, LDK cakton kandidatin për kryeministër

Lidhja Demokratike e Kosovës pritet që sot të vendosë për kandidatin për kryeministër.

Ky subjekt do të mblidhet sot në ora 14:00 me thirrjen e kreut të LDK-së, Isa Mustafës.

Një gjë të tillë për Gazetën Express e ka konfirmuar anëtari i Kryesisë së LDK’së, Selim Kryeziu.

“Takimi është thirrur për në orën 14:00. S’ka ndonjë pikë të veçantë.”, ka thënë Kryeziu.

Megjithatë ai pret që nesër LDK-ja të avancojë tutje dhe të caktojë emrin e kandidatit për kryeministër.

“Unë mendoj dhe shpresoj të caktohet. Kam kërkuar edhe ne mbledhjen e kaluar të mos vonohemi në këtë drejtim”, ka thënë Selim Kryeziu.

Të shtunën kryeministri Avdullah Hoti ka deklaruar se LDK do të vendos brenda dy-tre ditëve për emrin e kandidatit për kryeministër. Edhe Agim Veliu të hënën ka treguar se shumë shpejtë LDK do të ketë emrin e kryeministrit.

Tre emrat që janë përfolur si të mundshëm për të fituar besimin e Kryesisë dhe Këshillit të Përgjithshëm të LDK’së si kandidat për kryeministër, janë Lutfi Haziri, Lumir Abdixhiku e Kujtim Shala.

Megjithatë as emri i Avdullah Hotit nuk përjashtohet si emër i mundshëm për pozitën e shefit të ekzekutivit.

Deri tani, Enver Hoxhaj i PDK’së ka zyrtarizuar kandidaturën për kryeministër.  Lëvizja Vetëvendosje pritet që me Kurtin t’i futet kësaj gare zgjedhore.

NISMA me shumë gjasë do të garojë bashkë me PDK’në në një koalicion parazgjedhor, meqë sot Limaj ka thënë se po e presin ofertën nga Enver Hoxhaj.

Vjosa Osmani me shumë gjasë do të kandidojë bashkë në listën e Lëvizjes Vetëvendosje. Haxhi Avdyli ka thënë se brenda kësaj jave do të sqarohet gjithçka.

(Kosova Sot Online)