Rrëshqitje masive e dheut në Norvegji, zhduken 21 persona

  • G.G /
  • 30 December 2020 - 15:07
Rrëshqitje masive e dheut në Norvegji, zhduken 21 persona

Dhjetë persona janë lënduar, një prej tyre rëndë, ndërsa fati i 21 të tjerëve nuk dihet pas shembjes së dheut në pjesën jugore të Norvegjisë.

Dheu rrëshqiti në një zonë banimi në komunën e Gjerdumit, rreth 30 kilometra në veri të kryeqytetit Oslo, shkruan Reuters.

Policia norvegjeze njoftoi se rreth 700 persona janë evakuuar nga zona ku ndodhi rrëshqitja.

“Ishin dy dridhje të mëdha që zgjatën për ca kohë dhe mendova se po e pastrojnë borën ose diçka të tillë”, tha Oyestein Gjerdrum, banor lokal.

“Pastaj, rryma u ndal papritmas dhe një fqinj erdhi në derë e më tha se duhet të evakuohemi, kështu që i zgjova tre nipërit/mbesat dhe u thashë që të visheshin shpejt”, shtoi ai.

Personat e zhdukur banonin në shtëpitë e zëna nga dheu, por nuk dihet nëse ata janë të ngujuar, nëse ndodhen ndokund tjetër apo nëse kanë arritur të ikin, tha policia.

Udhëheqësi i operacionit policor në vendin e ngjarjes tha se zona vazhdon të jetë e paqëndrueshme dhe në të mund të sigurohet qasja vetëm përmes helikopterit.

(Kosova Sot Online)