Sulm në aeroport posa arriti qeveria e re, 13 të vrarë në Jemen

  • G.G /
  • 30 December 2020 - 15:28
Sulm në aeroport posa arriti qeveria e re, 13 të vrarë në Jemen

Së paku 13 persona janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë lënduar gjatë një sulmi në aeroportin e Adenit në Jemen të mërkurën.

Sulmi ndodhi vetëm disa momente pas aterrimit të aeroplanit në të cilin ndodhej kabineti i sapoformuar qeveritar, i përkrahur nga Arabia Saudite.

Shpërthime të fuqishme dhe të shtëna armësh u dëgjuan në aeroport pak kohë pasi aeroplani me anëtarët e kabinetit qeveritar arriti nga Riadi, thanë dëshmitarët. Ende asnjë grup nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin, shkruan Reuters.

“Ne dhe anëtarët e qeverisë jemi në kryeqytetin e përkohshëm të Adenit dhe të gjithë jemi mirë”, shkroi në rrjetet sociale kryeministri Maeen Abdulmalik.

“Paqja, siguria dhe stabiliteti do të triumfojnë duke iu falënderuar vullnetit të fuqishëm të jemenasve dhe qeverisë së tyre trime”, shtoi ai.

Një burim lokal i sigurisë tha se tri predha kanë rënë në sallën kryesore të aeroportit.

Jemeni është përfshirë nga konflikti i armatosur që nga viti 2014, kur rebelët Houthi e larguan nga kryeqyteti Sanaa presidentin Hadi dhe e morën kontrollin në atë pjesë.

(Kosova Sot Online)