Isa Mustafa për largimet nga LDK-ja drejt Vjosa Osmanit: S’i minimizoj, por s’janë humbje për ne

  • E.K /
  • 30 December 2020 - 15:55
Isa Mustafa për largimet nga LDK-ja drejt Vjosa Osmanit: S’i minimizoj, por s’janë humbje për ne

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, në një konferencë të përbashkët me kryeministrin Avdullah Hoti, e ka prezantuar këtë të fundit si kandidat të LDK-së për kryeministër.

Mustafa është pyetur edhe për largimet e zyrtarëve nga degët dhe nëndegët e LDK-së që po i bashkohen listës së Vjosa Osmanit, ndërsa ka thënë se nuk i minimizon largimet.

“Nuk e minimizoj. Nuk e shpalli të pavlefshëm asnjë largim, pasi që çdo njeri që deri dje ka qenë në LDK, ka qenë me LDK-në dhe i ka kontribouar LDK-së. Në qoftë se ata njerëz mendojnë që nuk kanë më asgjë që t’i japin LDK-së dhe dëshirojnë që të provojnë t’u japin subjekteve tjera, është në të drejtën e tyre që ata të vendosin që të largohen dhe t’i bashkangjiten listës së zonjës Vjosa Osmani”, tha Mustafa.

Megjithatë, nga zyrtarët e larguar nga LDK-ja, Mustafa tha se nuk ka parë ndonjë që, siç tha, “mund t’i japin Kosovës” diçka. Ai tha se largimet e tyre nuk paraqesin humbje për LDK-në.

“Në krahasim me atë që e kam dëgjuar përpara nga deklarimet e zonjës Osmani, se aty do të ketë njerëz profesionistë dhe njerëz që kanë çka t’i japin këtij vendi, nga këto largime shumë të pakta të disa degëve tona nuk kam parë personalitete që mund t’i japin ndonjë vlerë të re listës së Vjosës e as që mund t’i japin Kosovës. Si të tillë nuk janë çmuar dhe nuk janë vlerësuar brenda LDK-së dhe si të tillë nuk paraqesin humbje për LDK-në”, tha Mustafa.

(Kosova Sot Online)