Rreth 13 mijë biznese nuk ua kanë paguar Trustin Pensional punëtorëve

  • E.K /
  • 30 December 2020 - 16:50
 Rreth 13 mijë biznese nuk ua kanë paguar Trustin Pensional punëtorëve

Numri i bizneseve që nuk i kanë paguar kontribut pensional punëdhënësve të tyre është 12,839, sipas Administratës Tatimore të Kosovës.

ATK e ka bërë me dije numrin e përgjithshëm të bizneseve në Kosovë që kanë shkelur të drejtën e punëtorëve ndonëse nuk ka sqaruar nëse janë gjobitur ato.

“ATK ka arritur t’i përcaktojë këto biznese dhe numri i përgjithshëm i tyre është 12, 839 biznese”, thuhet në e-mailin e dërguar nga Zyra për Komunikim me Media e ATK’së.

Kjo Administratë u pati bërë thirrje qytetarëve që t’i denoncojnë të gjitha rastet që kanë dyshim se punëdhënësi nuk u ka paguar kontributet pensionale. Kjo ndodhi pak para se të lëshohej platforma për tërheqjen e 10%-ve nga kontributi pensional.

“ATK do të ndërmarr të gjitha masat ndaj secilit biznese, i cili vërtetohet se nuk i ka kryer këto obligime”, ka shtuar tutje administrata.

Në total, prej 11 deri më 29 dhjetor kanë aplikuar me sukses 394,978 kontributdhënës me vlerë të shpagimit rreth 184 milionë euro.

(Kosova Sot Online)