IKSHPK për personin e arrestuar nga Policia: Nuk është staf dhe aq me pak laborant i IKSHPK-së

  • E.K /
  • 30 December 2020 - 19:40
 IKSHPK për personin e arrestuar nga Policia: Nuk është staf dhe aq me pak laborant i IKSHPK-së

IKSHPK ka reaguar pasi sot Policia e Kosovës arrestoi një person në lidhje me dyshimin se kishte marrë ryshfet për të testuar njerëzit pa radhë për koronavirus. Nga Instituti thonë se ky person nuk ka qenë pjesë e stafit e as laborant.

“IKSHPK njofton se personi i arrestuar sot nga Policia e Kosovës në ambientet e punës të IKSHPK-ës në dyshimin për kryerje të veprës penale të korrupsionit, nuk është staf dhe aq me pak laborant i IKSHPK-së”, thuhet në komunikatë.

Tutje shpjegohet se cfarë pozite ka pasur ky person.

“Personi i arrestuar ka qenë duke punuar si personel mbështetës në punë administrative me kontratë të përkohshme në tre muajt e fundit me afat të caktuar në IKSHPK i kontraktuar si pjesë e projektit të Bankës Botërore për të përkrahur shëndetësinë e Kosovës në përballje me pandeminë COVID 19. Pa paragjykuar procesin e hetimeve në këtë rast, IKSHPK ofron mbështetje të plotë zbatimit të ligjit si dhe mbetet si gjithmonë e përkushtuar për të punuar në mënyrën sa më profesionale të mundur. Ky rast nuk mundet në asnjë mënyrë të zbeh punën kolosale të personelit të IKSHPK në luftimin e pandemisë me COVID-19 gjatë gjithë vitit 2020”, thuhet tutje.

(Kosova Sot Online)