Qeveria tregon përfitimet e Kosovës nga marrëveshja e nënshkruar sot me SHBA-në

  • G.G /
  • 31 December 2020 - 11:06
Qeveria tregon përfitimet e Kosovës nga marrëveshja e nënshkruar sot me SHBA-në

Edhe Zyra e Kryeministrit ka kumtuar lajmin për nënshkrimin e marrëveshjes për nxitjen e investimeve ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së. ZKM thotë se kjo marrëveshje mundëson që Korporata e SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar Financiar (DFC) dhe banka për zhvillim të SHBA-së do ta financojnë Kosovën.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Avdullah Hoti dhe ambasadori amerikan në Kosovë, z. Philip S. Kosnett, nënshkruan Marrëveshjen për Nxitjen e Investimeve (IIA) që ia mundëson Korporatës së SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar Financiar (DFC), bankës për zhvillim të SHBA-ve, për të sjellë gamën e prodhimeve financiare në Kosovë, ku përfshihet financimi i borxhit, investimeve në ekuitet, sigurimi i riskut politik dhe grantet për ndihmë teknike”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

Sipas ZKM-së, Kosova është vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që ka nënshkruar Marrëveshje për Nxitjen e Investimeve (IIA) me Korporatën e SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar Financiar (DFC).

“Kjo marrëveshje shpreh vullnetin e përbashkët të Republikës së Kosovës dhe SHBA-ve për të inkurajuar aktivitetet ekonomike në Kosovë që promovojnë zhvillimin ekonomik dhe kapacitetet  prodhuese të vendit tonë”, thuhet në komunikatë.

“Marrëveshja për Nxitjen e Investimeve (IIA), hap rrugë dhe garanton investimet amerikane në Kosovë, efektet e së cilës do të shihen gjatë vitit 2021, si dhe është një hap konkret drejt maksimalizimit të efekteve ekonomike të Marrëveshjes së Uashingtonit”, thuhet në komunikatën e ZKM-së. 

(Kosova Sot Online)