Top 14 rastet e përzgjedhura nga Policia rajonale në Pejë

  • G.G /
  • 31 December 2020 - 13:29
Top 14 rastet e përzgjedhura nga Policia rajonale në Pejë

Policia e Kosovës për rajonin e Pejës përmes një njoftimi për media ka njoftuar lidhur me 14 top raste e përzgjedhura gjatë vitit 2020.

Më poshtë lexoni të plotë njoftimin e Policisë:

Vrasje

Më datë 5.09.2020 rreth orës 16:55 në rrugën ”Eqrem Qabej” në Pejë në shtëpinë e tij është gjetur i vrarë me mjet të mprehtë viktima S.B. i lindur më 1959. I njëjti kishte jetuar vetëm, pasi që në vendin e ngjarjes nuk kishte kamera të sigurisë si dhe asnjë dëshmitarë okular, atëherë ekipi i Njësisë së Vrasjeve së bashku me njësitet e tjera të  Sektorin Rajonal të Hetimeve të DRP- së në Pejë, është angazhuar në mbledhjen e informatave, sigurimin dhe ekzaminimin e dëshmive si dhe shikimin e një numri shumë të madh të kamerave të sigurisë në objekte private në të gjitha rrugët e qytetit të Pejës të cilat dërgojnë në vendin  e ngjarjes.

Me datë 15.10.2020 pas ekzaminimit të dëshmive, analizimit të video-incizimeve nga kamerat e sigurisë, intervistimit të dëshmitarëve, analizimit të hyrje-daljeve telefonike dhe të telefonit të viktimës, është arrestuar i dyshuari A.B. i lindur me 2001, gjatë intervistimit në prezencën e avokatit mbrojtës, ka pranuar se ka kryer vrasjen.

I njëjti ndodhet në paraburgim.

Shtytje në vetëvrasje

Më datë 01.05.2020, në bjeshkën e fshatit Jabllanicë të Pejës, të quajtur Stubicë është gjetur i varur në litar viktima mashkull i lindur në vitin 2001. Ekipi i Vrasjeve ka dalë në vendin e ngjarjes dhe pas kryerjes së procedurave të nevojshme, kemi arritur ta identifikojmë të dyshuarin.

Më datë 2.05.2020 është intervistuar prindi i viktimës i cili në prezencën e avokatit mbrojtës pranon ta ketë shtytë djalin e tij tani viktimën të bëjë vetëvrasje (për shkaqe familjare).

I njëjti është arrestuar dhe gjendet në paraburgim.

Grabitje

Më datë 12.09.2020, rreth orës 21:40 është paraqitur rasti “Grabitje” i cili ka ndodhur në një pompë të derivateve e cila gjendet në fshatin Vitomiricë në Pejë. Me këtë rast katër të dyshuar të maskuar dhe të armatosur kishin grabitur viktimën punëtor i kësaj pompe dhe më pas kishin ikur në drejtim të panjohur.

Pas një pune intensivë është arritur që të identifikohen dhe arrestohen pesë persona të dyshuar.

Gjatë hetimit të këtij rasti si provë materiale është konfiskuar vetura me të cilën dyshohet së është përdorur gjatë kryerjes së veprës, si dhe një armë ‘AK -47’, e cila është përdorur gjatë grabitjes.

Në lidhje me rastin Gjykata Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Rënda ka shpallë Aktgjykimin ndaj pesë të dyshuarve për rastin e grabitjes dhe me ketë rast gjykata ka shqiptuar dënimin prej katër viteve burgim dhe nga 1000 € gjobë  për secilin të dyshuar.

Vjedhje e rëndë

Më datën 19.09.2020 ka ndodhur rasti “Vjedhje e Rëndë”. Njësiti për Hetimin e Veprave Penale ‘Vjedhje’, ‘Grabitje’, ‘Vjedhje Grabitqare’, kanë hetuar rastin në fjalë. Shuma e vjedhur ishte rreth 60. 000 euro. Me këtë rast janë janë vjedhur 300 rrollne shtof-material për veshje të mobileve.

Gjatë një pune intensivë është arritur që të identifikohen katër të dyshuar ndaj të cilëve është paraqitur kallëzimi penal pranë Prokurorisë Themelore në Pejë. Me ketë rast janë kryer pesë bastisje dhe gjatë këtyre bastisjeve është konfiskuar, materiali i vjedhur në këtë rast i është kthyer pronarit legjitim

Deklarim i rrejshëm

Më datë 18.01.2020 ankuesja, ka raportua rastin e dhunimit. Ankuesja ka deklaruar se më datën e lartcekur në shtëpinë e saj, në Pejë, kishin hyrë disa persona të panjohur dhe të njëjtën e kishin dhunuar në prezencën e bashkëshortit.

Gjatë zhvillimit të hetimeve, hetuesit e Sektorit Rajonal në Pejë, pas mbledhjeve të provave kanë arritur që të dëshmojmë që rasti i cekur më lart ka qenë inskenim nga vetë ankuesja dhe bashkëshorti i saj. Është bërë kallëzim penal për veprën penale “deklarim i rrejshëm”.

Vjedhje e rëndë

Më datë 3.01.2020, në fshatin Ruhot të Pejës, viktimës i janë vjedhur të holla në shumë mbi 10.000 euro dhe sasi e konsiderueshme e arit. Njësia e hetimeve pas një pune operative hetimore ka arritur që të identifikojë dhe arrestojë  të dyshuarin i cili e ka kryer këtë vepër penale. I dyshuari është ndaluar për 48 orë, pastaj është vazhduar me procedurat e mëtejme. Rasti është dërguar në Prokurorinë Themelore në Pejë, me kallëzim penal.

Shpëtim jete

Më datën 20.09.2020 rreth orës 17:00, një qytetar përmes telefonit ka informuar policinë në Pejë, se në fshatin Drelaj- Rugovë, pikërisht tek Liqeni i Vogël në vendin e quajtur “Podi i Zharit” ka renë  në humnerë një qytetar M.M, i lindur me 1943 me profesion avokat. Menjëherë rastit iu kanë përgjigjur patrullat policore të Stacionit Policor të Pejës, emergjenca dhe njësiti i zjarrfikëseve dhe kanë dalë në kërkim të personit në lokacionin e lartcekur.

Pas kërkesës së Policisë në vend ngjarje kanë dal edhe njësitet e FSK-së. Njësitet policore së bashku me njësitë e FSK-së, rreth orës 03:15 minuta kanë arritur të gjejnë dhe të njëjtin ta nxjerrin nga humnera. Viktima menjëherë është dërguar në Spitalin Rajonal në Pejë dhe sipas ekipit mjekësor i njëjti kishte pësuar lëndime por ishte jashtë rrezikut për jetë. Të njëjtit i është marrë një deklaratë me shkrim, i cili e deklaron se derisa ishte duke ecur aksidentalisht i kishte rrëshqitur këmba dhe kishte renë në humnerë.

Grabitje

Më datë 05.01.2020, viktimës i janë marrë me forcë telefoni, një shumë e të hollave dhe sende të tjera që ka pasur në çantën e dorës. Hetuesit pas një pune operativo hetimore, kanë  identifikuar dhe arrestuar të dyshuarin, i cili është ndaluar për 48 orë, pastaj është vazhduar me procedurat e mëtejmë. Rasti është dërguar në Prokurorinë Themelore në Pejë, me kallëzim penal.

Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm

Më datë 15.08.2020 rreth orës 16:30, Stacioni Policor në Istog, informohet se në bjeshkën “Mokna” ka të shtëna me armë zjarri. Njësitet e Stacionit Policor në Istog të asistuar edhe nga Njësitet Speciale, nisen për në vendin e ngjarjes, lokacionin e cekur më lart.

Derisa zyrtarët policorë kanë qenë duke biseduar me fshatarët prapë dëgjohen të shtënat armësh dhe zyrtarët policorë nisen në atë drejtim dhe fillojnë kontrollin në atë pjesë dhe gjatë kontrollit hasin në disa persona të cilët në ato momente kanë qenë duke e rregulluar vendin për qëndrim. Pasi që të shtënat ishin dëgjuar nga ajo pjesë dhe dyshohej se të njëjtit kishin shtënë me armë, personat kontrollohen dhe gjatë kontrollit tek katër persona serbë/kosovarë gjejnë dhe konfiskojnë pesë armë zjarri.

Një pistoletë M57, kal.7.62mm, dhe njëzet e katër fishekë kal.7.62mm; një pushkë e gjatë ‘Karabinë’, dhe një gëzhojë kal. i panjohur; një pistoletë ‘CZ-99’ e kalibrit 9 mm, me dy karikatorë dhe 15 fishekë’; një ‘AK-47’, me dy karikatorë dhe 92 fishekë kal.7.62x39mm; Një (1) Pushkë gjuetie, një tytshe, si dhe 14 fishekë kal.12 GA.

Armët e cekura më lart konfiskohen dhe të dyshuarit në fjalë arrestohen dhe shoqërohen në stacionin policor në Istog. Të njëjtit gjatë intervistimit deklarojnë dhe pranojnë të kenë pasur në posedim armët e cekura më lart dhe me të njëjtat të kenë shtënë në ajër.

Katër personat e dyshuar në konsultim me prokurorin e shtetit ndalohen për dyzet e tetë (48) orë dhe rasti shkon në procedurë të përshpejtuar.

Stacioni Policor në Istog ka ngritur kallëzim penal ndaj të dyshuarve në fjalë për ‘Përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm / Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’.

Vjedhje e rëndë

Më datë 14.06.2020, viktima (imam i xhamisë) ka raportuar në Stacionin Policor në Istog, se persona të panjohur kishin hapur me forcë një kasafortë të xhamisë në fshatin Gurrakoc nga ku kishin vjedhur para. Po ashtu, rasti i dytë dhe i tretë është raportuar nga imami i njëjtë ku edhe në rastin e dytë dhe të tretë në xhami ishin vjedhur vetëm para nga kasaforta.

Objekti i xhamisë ishte i monitoruar nga kamerat e sigurisë dhe nga imami përgjegjës i xhamisë na janë ofruar incizimet e kamerave të sigurisë ku kemi arritur të identifikojmë tre persona të dyshuar për tri rastet e lartcekura.

Tre personat e dyshuar janë arrestuar dhe janë intervistuar ku të tre të dyshuarit kanë pranuar që kanë kryer të tri këto vjedhje në xhami. Ndaj të dyshuarve është ngritur kallëzim penal dhe rastet janë dorëzuar në Prokurorinë Themelore në Pejë, Departamenti i Përgjithshëm.

Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve 

Më datë 26.11.2020, Sektori i Hetimeve pran Stacionit Policor në Klinë, gjatë rrugëve operativo – hetimore ka siguruar informacione të besueshme se një i dyshuari në fshatin Jashanicë të Klinës, posedon armë dhe municionit.

Në koordinim me prokurorin e shtetit dhe me urdhër me shkrim të lëshuar nga gjykata kompetente, është bastisur shtëpia dhe lokalet përcjellëse të të dyshuarit ku janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale: një armë, ‘AK-47’ dhe 636 copë fishekë të kalibrave të ndryshëm.

‘Dhunë në familje’, ‘Lëndim i rëndë trupor’ dhe ‘Kanosje’

Më datë 22.12.2020, Stacioni Policor në Klinë është njoftuar për një rast rrahje dhe kanosje në fshatin Dollc të Klinës. Njësitet relevante menjëherë kanë reaguar dhe të njëjtit kanë arritur t’i arrestojnë dy të dyshuar (vëllezër), ndërsa fal intervenimit të policisë, viktima gruaja e njërit prej të dyshuarve kishte pësuar lëndime trupore dhe pas dhunës fizike kishte tentuar që të vetëvritet. E njëjta është dërguar për trajtim mjekësor, nga të dyshuarit janë konfiskuar dy revole me leje, ndërsa gjykata kompetente u ka shqiptuar masën prej 30 ditë paraburgim.

‘Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm’ dhe ‘Dëmtim apo asgjësim i pasurisë’

Më datën 5.06.2020 rreth orës 16:00 stacioni policor në Deçan ishte njoftuar nga ankuesi se persona të panjohur kishin dëmtuar themelin e t’banit, dhe kishin shpërthyer gomat e rimorkios se një veture në bjeshkën e Pleqës- Deçan.

Policia gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes ka gjetur disa gëzhoja të kalibrit 7.62X39, është iniciuar rasti si ‘Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm’ si dhe ‘Dëmtim apo asgjësim i pasurisë’ dhe kanë filluar hetimet lidhur me rastin në koordinim me prokurorin e shtetit.

‘Dhunë në Familje, Lëndim i Rëndë Trupor-Armëbajtje pa leje’

Më datë 17.01.2020 rreth orës 20:15, Stacioni Policor Junik është informuar për një rast dhunë në familje, i cili kishte ndodhur në lagjen Gacafer-Junik. Patrulla policore e Stacionit Policor në Junik, menjëherë ka shkuar ne vendin e ngjarjes.

Viktima gjatë intervistimit deklaron se i dyshuari bashkëshorti i saj kishte ushtruar dhunë fizike dhe kanosje ndaj saj. Viktima deklaron se i dyshuari posedon edhe armë, viktima është dërguar në shtëpinë e shëndetit në Junik për tretman mjekësor. I dyshuari është arrestuar dhe intervistuar i cili e pranon se e ka kryer veprën, në lidhje me rastin është njoftuar prokurori i shtetit.

Gjatë bastisjes tek i dyshuari është gjetur dhe konfiskuar arma ‘AK-47’. I dyshuari me urdhër të prokurorit të shtetit dërgohet në mbajtje.

(Kosova Sot Online)