Këshilltari i Veliut, pasi i dolën Osmanit deklaratat e 2017-s për LDK-në: Fytyrë është kjo, e jo livadh

  • G.G /
  • 31 December 2020 - 14:37
Këshilltari i Veliut, pasi i dolën Osmanit deklaratat e 2017-s për LDK-në: Fytyrë është kjo, e jo livadh

Bajram Gecaj, këshilltari politik i ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliu, ka reaguar pas qarkullimit të deklaratave të ushtrueses së detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, e cila në një studio televizive më 2017-ën deklaronte se karriera e saj polikë lidhej ngushtë me LDK’në.

“Fytyrë është kjo, e jo livadh”, ka shkruar Gecaj në reagimin e tij, teksa ka thënë se qëndrimet e tij nuk kanë luhatur tash e tridhjetë vite.

“Sa ndjesi e mirë kur as një deklaratë timen nuk mund ta gjesh në kundërshtim me ndonjë tjetër … qëndroi prapa secilës deklaratë që kam dhënë tash e tridhjetë vite! Fytyrë është kjo, e jo livadh!”, ka shkruar këshilluesi politik i Veliut.

Tutje, ai ka publikuar edhe citatin e u.d. të presidentit, e cila thotë se LDK-ja është arsyeja e vetme që e mban atë në skenën politike.

Ndryshe, Osmani në një intervistë pati thënë se në ditën që nuk do të jetë në LDK, nuk do jetë as në politikë.

“Unë jam e bindur që një gjë e tillë nuk do të ndodhë më, përndryshe Vjosën nuk do ta shihni në politikë. Vjosa nuk do të merret më me politikë fare. Krejt karriera ime politike lidhet me LDK-në dhe do të lidhet vetëm me LDK-në, kurrë asnjëherë me ndonjë parti tjetër. Në ditën që unë nuk jam në LDK, as nuk jam në politikë. Kaq. Aty unë e përfundoj karrierën time politike. Nëse diçka e tillë do të ndodhte unë nuk do të merresha më fare me politikë”, kishte deklaruar ajo në një intervistë televizive.

Por kryekuvendarja Vjosa Osmani tanimë ka ndarë rrugët me partinë pjesë e së cilës ishte për gati dy dekada.

Osmani ka paralajmëruar formimin e një iniciative qytetare që do të garojë në zgjedhje dhe me shumë gjasë në një listë të përbashkët me Lëvizjen Vetëvendosje të Albin Kurtit.

Madje, Osmani ka filluar edhe t’ia marrë asamblistët nëpër komuna të ndryshme LDK-së. 

(Kosova Sot Online)