FSK-ja i bashkohet Gardës Kombëtare Amerikane në misionin e parë ndërkombëtar paqeruajtës të saj

  • E.K /
  • 01 January 2021 - 15:34
 FSK-ja i bashkohet Gardës Kombëtare Amerikane në misionin e parë ndërkombëtar paqeruajtës të saj

Me kërkesë të Ministrisë së Mbrojtjes, Qeveria e Kosovës ka aprovuar Vendimin për bashkëdërgimin e kontingjentit të Forcës së Sigurisë në misionin e parë paqeruajtës jashtë vendit, si pjesë e Gardës Kombëtare të Iowas, sipas ftesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kontingjenti i FSK-së jashtë vendit do të jetë pjesë e misionit në ofrimin e mbështetjes për stabilitet rajonal dhe operacione paqeruajtëse në regjionin e Komandës Qendrore Amerikane – U.S. Central Command (USCENTCOM).

“Krahas përkushtimit të vazhdueshëm për të avancuar aftësitë dhe kapacitetet operacionale, FSK-ja po arrin sukseset e saj të mëdha edhe në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar, duke fuqizuar në vazhdimësi subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës. Besimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të përfshijë FSK-në në misione ndërkombëtare paqeruajtëse konfirmon edhe një herë përkrahjen për Kosovën, duke e konsideruar si një faktor të rëndësishëm në ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon e kudo në botë. Kosova mbetet e përkushtuar për bashkëpunimin me SHBA-në dhe partnerët strategjikë në orientimet e saj euroatlantike”, thuhet në njoftimin e dërguar për media.

(Kosova Sot Online)