Ekspertët paralajmërojnë stërmbushje të spitaleve: Kjo nuk është më e keqja

  • E.K /
  • 02 January 2021 - 14:37
 Ekspertët paralajmërojnë stërmbushje të spitaleve: Kjo nuk është më e keqja

Ekspertët në Britaninë e Madhe kanë paralajmëruar se numri i tanishëm i rasteve të koronavirusit është i lehtë në krahasim me atë që do të vijë javën e ardhshme.

Kryetari i Kolegjit Mbetëror të Mjekëve, prof.Andrew Goddard, tha se shifra prej 53.000 infeksioneve do të rritet, shkruan Daily Mail. Ai gjithashtu theksoi se punëtorët e sistemit shëndetësor në Britani janë vërtet të shqetësuar për betejën kundër virusit gjatë muajve të ardhshëm.

Ky paralajmërim erdhi pas deklaratës së një infermiereje, e cila e vuri në pah gjendjen dëshpëruese në spitale, duke thënë se pacientëve po u harxhohet oksigjeni dhe po lihen në autoambulanca e korridore.

Profesori Goddard për televizionin BBC tha: “Nuk ka dyshim që Krishtlindjet do të kenë ndikim të madh, varianti i ri do të ketë ndikim të madh. E dimë se është më infektues, përhapet më shumë, prandaj mendoj se shifrat e mëdha që po i shohim në jugperëndim, në Londër, në Uellsin Jugor, do të pasqyrohen gjatë muajit të ardhshëm, gjatë dy muajve madje, në pjesën tjetër të vendit.”

“Duket se ka gjasa të mëdha që të shohim më shumë raste, kurdo që njerëzit punojnë në Mbretërinë e Bashkuar, prandaj duhet të përgatitemi për këtë”, shtoi ai.

Një infermiere tha se kushtet janë të papërballueshme në spitalin ku punon, pasi numri i pacientëve me Covid-19 po vazhdon të rritet dhe se disa po lihen në korridore.

Ajo gjithashtu tha se ka punuar tri orë në autoambulanca, sepse në spital nuk ka pasur shtretër të lirë për pacientët. Sipas saj, një pacient madje ka mbetur pa oksigjen pas shpenzimit të bombolës.

(Kosova Sot Online)